E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurozona miraton këstin për Greqinë

Vendet anëtare të Eurozonës miratuan lëvrimin e këstit prej 2,8 miliardë euro për Greqinë, e ndërsa lëvrimi i këstit tjetër, me vlerë 4,3 miliardë euro, do të vendoset në takimin e Eurogrupit, të hënën e dytë të Majit.

Kjo shumë ka të bëjë me pjesën që i takon Eurozonës, ndërsa do të shtohet edhe kontributi i FMN, që është përcaktuar në 1,7 miliardë euro.

Një ditë më parë, parlamenti grek ka miratuar me 168 vota pro dhe 123 kundër projektligjin e fundit të reformave dhe masave të kursimit.

Midis të tjerash, ky projektligj përmban pushimin nga puna të më shumë se 15000 nënpunësve të administratës civile deri në vitin 2014, privatizimin e shumë organizmave shtetërore dhe gjysëm shtetërore apo mbylljen e tyre, taksa të reja mbi pronën private, rritjen e orëve të mësimit për mësuesit.

Kjo është hera e katërt që Greqia aprovon në Parlament masat shtrënguese dhe reforma që prej vitit 2010, kur kërkoi ndihme nga FMN dhe BE, pasi rrezikonte falimentimin dhe daljen nga zona e Euros.

Papunësia në shtetin helen ka arritur në 27%, më e larta në shtetet e zonës së euros dhe ekonomia e saj vazhdon të tkurret për të gjashtin vit rrjesht.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›