E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurozona ndihmon Spanjen

Ministrat e financave të eurozonës kanë rënë dakord mbi kushtet e një pakoje shpëtimi për bankat e Spanjës dhe janë të gatshëm t’i ofrojnë Madridit një shumë fillestare prej 30 miliardë eurosh deri në fund të muajit.
Ky është kësti i parë i fondit të shpëtimit prej 100 miliardë dollarë, për të cilin u ra dakord në qershor.
Po ashtu Eurogroupi vendosi t’i japë një vit më shumë kohë Spanjës deri në 2014, për të reduktuar deficitin e saj buxhetor në 3% të PBB si dhe financimin e sektorit bankar spanjoll. Kreu I eurogrupit Zhan Klod Junker bëri njoftimin të martën, pas nëntë orë bisedimesh në Bruksel.

“Miratuam zgjatjen e afatit për reduktimin e deficitit buxhetor për Spanjën deri ne 2014. Këtë gjë e bazuam në vlerësimin pozitiv nga komisioni si dhe duke marrë parasysh përkeqësimin e situatës ekonomike në Spanjë dhe impaktin e saj në gjendjen e buxhetit. Ne presim që Spanja të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur afatin e ri në 2014.”- nënvizoi Junker.

Ndërsa komisioneri për çështjet monetare Olli Rehn pas arritjes së marrëveshjes u shpreh:
“Kjo është një sfidë, por edhe një objektiv i arritshëm, mbi të gjitha një objektiv i nevojshëm. Eshte thelbësore që sfidat e shumta me të cilat po përballet Spanja si: ristrukturimi i sektorit bankar, reforma stukturore për nxitjen e ekonomisë dhe hapja e vendeve të reja të punës, të vlerësohen në mënyrë të barabartë dhe me një vendosmëri të forte nga ana e qeverisë spanjolle”- deklaroi Rehn.

Gjatë mbledhjes së Eurogroup janë diskutuar rezultatet paraprake të auditorëve të vizitës Trojkës në Athinë dhe ministrat e financave të eurozonës do t’i kthehen çështjes greke, kur treshja të përfundojë vlerësimin dhe të përgatisë raportin përfundimtar për ecurinë e zbatimit të programit grek.
I pyetur në lidhje me ndonjë kërkesë të bërë nga ministri grek Stournaras, Junkcer tha se “ministri grek i financave nuk ka paraqitur një kërkesë formale në Eurogroup për një zgjatje kohore për reduktimin e deficitit buxhetor prej 3%”. "Unë e imagjinoj se ka kërkesa të tilla nga pala greke", shtoi Juncker, dhe sqaroi se Ministri grek i Financave Jannis Stournaras ka dhënë garanci për të rivendosur programin e rregullimit ka efektshëm homologët e tij.
Ministrat e financave të eurozonës po ashtu riemëruan Junker në postin e kreut të Eurogrupit për një tjetër mandat prej 2 vjet e gjysmë. Por kreu i Eurogrupit që ka shërbyer më gjatë në këtë post tha se ai mendonte të tërhiqej nga ky post në fund të këtij viti ose në fillim të 2013.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›