Kontroll faktesh: Berisha thotë se punësimi është rritur nga viti në vit me 1.4%?!
Duke folur për punësimin, Berisha tha sot gjatë mbledhjes së Bordit të Agjencisë për Investimet e Huaja se nga viti në vit u rrit me 1.4%, ndërsa në sektorin publik punësimi u zvogëlua. Më tej ai shtoi se kjo gjë që do të thotë se po zvogëlojmë administratën dhe jemi krenarë për këtë.
Para se të kontrollojmë këto fakte berishiane në faqen zyrtare të internetit të INSTAT-it, le të bëjmë një pyetje retorike. Duke e marrë të mirëqenë rritjen e punësimit të deklaruar nga Berisha, lind pyetja se si ka mundësi që rritja ekonomike është raportuar në nivelin mesatar vjetor 4.7% gjatë 7 viteve të fundit, ndërsa mesatarja e rritjes së vendeve të punës paska qenë vetëm 1.4%?!
Por faqja e internetit të INSTAT-it na jep numra që e rrëzojnë edhe rritjen prej 1.4% në vit të numrit të të punësuarve (shihni tabelën e bashkëngjitur). Kështu, numri total i të punësuarve është rritur vetëm me 1,191 nga 2005 në 2012-ën, ose gjithsej 0.1%. Pra, i bie që rritja mesatare vjetore të ketë qenë vetëm 0.02%. Ndërsa deklarata e Berishës për të punësuarit në sektorin shtetëror konfirmohet nga shifrat e INSTAT-it numri i tyre është pakësuar me 10,415.
