E Enjte, 5 Nëntor 2026

Evakuimet nga Kabuli, vështirësi për qytetarët afganë që të futen në aeroport

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë folur për vështirësitë që po hasin në evakuimin nga Kabuli të personelit dhe punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat amerikane. Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, tha se talibanët po shkelin premtimet dhe se Shtetet e Bashkuara po u bëjnë presion atyre që të lejojnë afganët të ikin përmes aeroportit të kontrolluar nga SHBA-ja në Kabul. “Ne kemi parë raporte se talibanët, në kundërshtim me deklaratat e tyre publike dhe angazhimet e tyre ndaj qeverisë sonë, po bllokojnë afganët që duan të largohen nga vendi për të arritur në aeroport”, u tha Sherman gazetarëve. 

Ndërsa, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se nuk ka pasur “ndërveprime armiqësore me talibanët” dhe se linjat e komunikimit me komandantët talibanë mbeten të hapura. Sa i takon evakuimit nga aeroporti i Kabulit të personelit dhe punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat amerikane, Austin tha se ky proces nuk është në nivelin e dëshirueshëm. 

Edhe shefi i Shtabit të Ushtrisë amerikane, Mark Milley tha se situata në aeroportin e Kabulit aktualisht është stabile.  “SHBA-ja nuk ka kapacitete aktualisht që të shkojë dhe të marrë numër të madh të amerikanëve jasht aeroportit të Kabulit”, tha Austin, duke shtuar se çështja më madhore tash për tash është dërgimi i njerëzve deri në aeroport. 

Presidenti Joe Biden tha të mërkurën vonë se ai është i përkushtuar për të mbajtur trupat amerikane në Afganistan derisa të evakuohet çdo amerikan, edhe nëse kjo do të kërkonte të mbahej një prani ushtarake atje përtej afatit të 31 gushtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›