Evakuohet Kongresi amerikan për gabimin e pilotit
Kongresi i Shteteve të Bashkuara është evakuuar për një kohë të shkurtër, pasi piloti i një aeroplani udhëtarësh, gabimisht e kishte ndryshuar frekuencën e radios, dhe kishte humbur lidhjen me kontrollin e fluturimit, njoftoi agjencia federale e aviacionit në SHBA.
Zëdhënësi i agjencisë, Xhim Piters, tha se rasti po hetohet. Agjencia dhe shërbimet sekrete tashmë e kanë marrë në pyetje pilotin për të parë se si ka ndodhur gabimi.
Aeroplani, i cili fluturonte nga Hilton Hed në Karolinën e Jugut, për 15 minuta mbeti pa radio lidhje me qendrën e kontrollit teksa po i afrohej aeroportit "Ronald Regan" në Uashington.
Në Kongres, i cili është i mbyllur për shkak të festave, nuk ndodheshin shumë njerëz.