SHBA: Trafikanti rus i armëve refuzon marrëveshjen me autoritetet

Trafikanti i dyshuar rus i armëve, Viktor Bout, tha sot se e ka refuzuar marrëveshjen me autoritetet amerikane për t`u deklaruar fajtor.
Në komentet e para publike që kur u ekstradua nga Tajlanda në SHBA, ai tha se "nuk ka asgjë çfarë të tregojë" dhe se "nuk di asgjë për atë që janë të interesuar ata".
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti i publikoi komentet e të akuzuarit, të cilat ishin dërguar përmes një zyrtari të ambasadës ruse në Amerikë.
Bout, ish oficer i forcave ajrore të Rusisë, mund të dënohet me burg të përjetshëm nëse shpallet fajtor nën akuzat amerikane për terrorizëm dhe trafikim armësh.
Ai akuzohet se nga vitet e 1990-ta u ka shitur armë diktatorëve dhe zonave të konfliktit në Afrikë, në Amerikën Jugore dhe në Lindjen e Mesme.