Everton dhe Aston Villa interesohen për Vedat Muriqin

Vedat Muriqi është lojtari i momentit në kampionatin spanjoll. Transferimi i tij në janar nga Lazio te Mallorca ndryshoi tërësisht dinamikën e ekipit ishullor, pasi me 5 golat e tij në 16 ndeshje Mallorca ia doli të siguronte qëndrimin në La Liga. Këtë sezon, 28-vjeçari po kalon një moment të mirë, pasi 8 gola në 12 ndeshje janë një tregues i qartë i formës pozitive. Lojtari po monitorohet nga disa skuadra angleze apo edhe në Spanjë, por pronësia e klubit është e qartë: nëse dikush e do Muriqin duhet të paguajë 40 milionë euro.
Everton dhe Aston Villa janë dy klubet më të interesuara. Në rast shitje të Muriqit, Lazio do të kënaqej pasi sipas kontratës 45% e kuotës i takon klubit bardhekaltër. Një shifër e tillë e bën operacionin e komplikuar, por jo të pamundur duke parë buxhetin që zotërojnë klubet e Premier League. Sulmuesi firmosi këtë verë me Mallorcan për katër sezone, edhe pse lojtari është mjaft komod, ku është konsideruar si një prej yjeve të skuadrës.