E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa Juglindore pas krizës, çështje të stabilitetit

Çështja e stabilitetit të rajonit sot nuk ka atë kuptim që kishte në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar. Sot të gjithë popujt dhe të gjitha qeveritë e vendeve të rajonit udhëhiqen nga e njëjta filozofi, nga e njëjta aspiratë, nga e njëjta perspektivë; ajo e bashkëpunimit të ngushtë, miqësor me njëri-tjetrin dhe integrimin e të gjitha vendeve tona në Bashkimin Europian.
Vendeve tona u është propozuar një afat kohor për bashkimin në familjen evropiane, viti 2014. Propozimi i Kryeministrit të Greqisë, zotit Papandreu, është shprehje konkrete e vullnetit politik të shtetit dhe qeverisë greke, i filluar që më propozimin në samitin e Selanikut të vitit 2003, është garanci e mbështetjes që vendet tona kanë nga vendi me i vjetër i rajonit, anëtar i BE-së.
Viti 2014 ka një simbolikë të veçantë: 100 vjet më parë ishte fillimi i ndarjes së madhe të shteteve të Evropës dhe të përgjakjes të popujve të tyre, 100 vjet më pas do të jetë fillimi i bashkëjetesës të të gjitha shteteve të Evropës në të njëjtën familje. Kjo është një detyrë e madhe për të gjitha vendet tona, jo anëtare të BE-së, që lidhet me kuptimin e ri të stabilitetit rajonal. Unë mendoj se ky kuptim është shumëdimensional: politik, ekonomik e social.
Vendet tona kanë nevojë të adaptojnë tërësisht standardet e BE-së, të sanksionuar në legjislacionin përkatës dhe të zbatuar praktikisht në çdo aspekt të jetës. Shqipëria është e vendosur të ecë me shpejtësi në këtë rrugë. Shqipëria është një vend strategjik për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit, Mesdheut dhe Evropës. Shqipëria sot ka fituar një status dhe rol të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, rrjedhojë logjike e partneritetit në rritje me të gjitha strukturat e sigurisë rajonale dhe globale pas anëtarësimit në NATO. Shqipëria është në një proces të rëndësishëm dhe konstruktiv me BE-në, pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes të Stabilizim-Asocimit si dhe dorëzimit dhe pranimit të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat dhe jemi aktualisht në një periudhë vendimtare në procesin e heqjes të vizave me BE-në. Falënderim të veçantë për mbështetjen e jashtëzakonshme që Greqia, në vazhdimësi i ka dhënë Shqipërisë si në procesin e integrimit në NATO, ashtu dhe në ecjen para me shpejtësi në projektin e anëtarësimit në BE.
Realizimi i standardeve të një shoqërie demokratike dhe funksionimi i shtetit të së drejtës janë prioritete të Parlamentit, qeverisë dhe shoqërisë shqiptare.
Forcimi i dimensionit të stabilitetit në konceptin tradicional dhe atë të ri në rajon, nëpërmjet garantimit të paqes dhe sigurisë, demokratizimit të shoqërive tona, luftës të përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, forcimit të sigurisë dhe menaxhimit të integruar të kufijve mund të realizohen me shpejt nëpërmjet një bashkëpunimi më të koordinuar rajonal të agjencive të zbatimit të ligjit së bashku me asistencën e vetë BE-së.

Rrugë e rëndësishme për stabilitetin rajonal është bashkëpunimi i ngushtë në fushën ekonomike, investimet të ndërsjella me interes reciprok, projekte të përbashkëta për progresin ekonomik rajonal etj. Mundësitë janë të shumta dhe tashmë të njohura: rritja e shkëmbimeve tregtare nëpërmjet krijimit të një hapësire ekonomike rajonale që lehtëson dhe eliminon pengesat përmes zbatimit real të marrëveshjeve të tregtisë të lirë dhe integrimit ekonomik rajonal, fuqizimi i një rrjeti infrastrukturor rajonal me akse që përshkojnë linjat kryesore të qarkullimit dhe fluksit të shkëmbimeve dhe lidhjen e tyre me rrjetet infrastrukturore evropiane dhe euro-aziatike, siguria në sektorin e energjisë përmes ndërtimit dhe modernizimit të rrjeteve të interkonjuksionit rajonal etj. Ndërkohë që perspektiva e rajonit si një vatër e re zhvillimi ekonomik dhe punësimi do të lehtësonte edhe vetë BE-në nga një sfidë që është sa politike po aq dhe ekonomike. Plani grek për Ballkanin që po zbatohet me sukses prej disa vitesh, është një shembull konkret i këtij bashkëpunimi. Nuk mund të mohohet ndikimi i krizës ekonomike globale edhe në bashkëpunimin tonë rajonal, por unë mendoj se efektet e saj do të rikuperohen shumë shpejt, duke rigjallëruar klimën e investimeve të vendeve më të zhvilluara të rajonit tek fqinjët e tyre.

Jo pak i rëndësishëm në aspektin e stabilitetit rajonal është dimensioni social. Ndryshimet politike në shumicën e vendeve të rajonit, hapja e tyre dhe diferencat në zhvillimin ekonomik ndërmjet tyre sollën si pasojë edhe fenomenin e migrimit të popullsisë të një vendi më pak të zhvilluar në një vend me të zhvilluar. Greqia u bë mikpritësja kryesore e emigrantëve në rajon dhe sot shërben si model i integrimit të popujve të këtyre vendeve në shoqërinë evropiane. Emigracioni shqiptar, duke përbërë rreth 70% të emigrantëve në Greqi përfaqëson sot shembullin e integrimit harmonik në një shoqëri demokratike evropiane. Miratimi në Parlamentin grek i ligjit i cili lejon dhënien e shtetësisë për emigrantët e brezit të dytë do të sjellë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe për integrimin e mëtejshëm të emigrantëve shqiptarë në shoqërinë greke, pra në shoqërinë evropiane. Ndaj mendimin se duhet të fillojmë nga lëvizja e lirë e qytetarëve në vendet përkatëse, sepse e konsideroj si anomali dhe jashtë kohe faktin se ndërsa kërkojmë që të shkojmë pa viza në BE, disa nga vendet tona ende mbajnë në fuqi regjim vizash ndaj njëri-tjetrit. Liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë dhe të të gjitha vendeve të rajonit do të jetë jo vetëm një mundësi për lëvizjen e lirë të tyre në hapësirat evropiane, por edhe një çlirim psikologjik për kapërcimin përfundimtar të kësaj pengese, çka do të çlironte energji pozitive dhe do të krijonte një perspektivë realisht të prekshme për cilindo prej vendeve tona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›