E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi në BE, Fule: Stabiliteti politik, faktor kyç

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule, deklaron se dialogu politik në Kuvend është i rëndësishëm. Partitë, sipas tij, duhet të tregojnë përgjegjshmëri

TIRANË - Stabiliteti politik në vend është një faktor kyç për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule, në një intervistë për portalin web "Euractiv.com" një media kushtuar zhvillimeve në BE, bëri thirrje për zgjidhjen e krizës dhe forcimin e mëtejshëm të demokracisë.


Gjatë intervistës, Fule ka kujtuar se mesazhi i tij për Tiranën ishte më se i qartë. Ai deklaroi se gjatë vizitës në Tiranë kishte shprehur shqetësim për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe mungesën e dialogut politik në parlament. "Theksova gjithashtu rëndësinë e këtij dialogu pasi ligjet miratohen në parlament dhe nuk mund të bëhen reforma nëse nuk ekziston legjislacioni i duhur.


Është në dorë të shqiptarëve dhe unë shpresoj shumë që ata të bëjnë progres dhe të tregojnë se kanë një demokraci të pjekur. Përgjegjësi për këtë kanë të gjitha forcat politike, mazhoranca dhe opozita", - tha Fule. Komisioneri për Zgjerimin Europian nënvizoi më tej se "shumë gjëra janë në duar të shqiptarëve".


"Unë shpresoj shumë që ato do të bëjnë progres dhe të tregojnë se kanë një demokraci të maturuar. Përgjegjësia bie mbi dy partitë politike, partia në pushtet dhe opozita", tha ai. Fule pranon se Shqipëria ka bërë progres në 20 vitet e fundit. "Fakti që Këshilli i Europës i kërkoi Komisionit të përgatisë një opinion është provë e progresit të bërë në Shqipëri.


Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se e gjithë puna është bërë dhe unë mendoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm për të gjithë vendet e Ballkanit, përfshi dhe Kroacinë, e cila duhet të hapë negociatat për kapitullin e 23 të lirive themelore dhe juridike", tha ai.


Komisioneri për Zgjerimin këshilloi që duhet mësuar nga vendet e mëparshme, të cilat u pranuan në BE. Sipas tij, duhet t'i kushtohet vëmendje kritereve të samitit të Kopenhagenit, sidomos kritereve politike, nga fillimi deri në fund të procesit. "Ne duhet të sigurohemi se vendi jo vetëm që ka legjislacion dhe institucione, por që gjithashtu zbatohen këto ligje", - tha ai.

********************

Kryetari i KQZ-së dhe rezoluta e Komisionit të Ligjeve i vlerësojnë zgjedhjet si më të mirat

"Ruzhdia", Ristani akuzon Prokurorinë

TIRANË - Ndonëse opozita vijon të këmbëngulë në kërkesën e saj për bërjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe mazhoranca e përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë i konsiderojnë ato si më të mirat e realizuara ndonjëherë në vendin tonë.


Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, duke raportuar dje në Komisionin e Ligjeve mbi aktivitetin vjetor të këtij institucioni për vitin 2009, ka evidentuar faktin se pavarësisht problemeve jo të pakta, procesi i shkuar zgjedhor qe më i arriri, si nga ana e standardeve ashtu edhe nga ana menaxhimit dhe zbatimit të ligjit elektoral.


Një konstatim ky që ka gjetur edhe mbështetjen e deputetëve të djathtë, të cilët në rezolutën e tyre të miratuar dje në komision kanë evidentuar se "zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë zgjedhjet më të mira, më të drejta e më të lirat që ka realizuar ndonjë herë Shqipëria që pas viteve 90 dhe se ato përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj kërkesave të OSBE-së".


Ndërkohë, deputetët e djathtë në këtë rezolutë nuk lënë pa prekur edhe një pikë tepër të debatueshme, siç është ajo e apelimeve të subjekteve zgjedhore, si dhe kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërim të votave, çka siç dihet u hodh poshtë me forcën e kartonit nga anëtarët e djathtë të këtij komisioni, pavarësisht se Kodi Zgjedhor ua njihte këtë të drejtë.


Sipas rezolutës së miratuar, KQZ-ja veproi drejt në të gjitha rastet e apelimeve, përfshi këtu edhe në shqyrtimin e kërkesës së dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërim të votave të caktuara në disa zona. Ndërkohë, kreu i KQZ-së në prezantimin e raportit vjetor ka pohuar se procesi u shoqërua edhe me probleme jo të pakta, por që, sipas tij, nuk ndikuan në rezultatin zgjedhor.


Sipas Ristanit, ndër problemet më të mëdha vijojnë të mbeten zëvendësimi i vazhdueshëm i komisionarëve, si dhe bllokimi i njëanshëm i procesit të votimit nëpërmjet tërheqjes së komisionerëve të njërës palë, duke marrë me vete edhe vulën e komisionit. Duke u ndalur në fenomene të tilla, ai ka evidentuar rastin "Ruzhdie", ku, sipas tij, komisionerët socialistë, duke ditur rezultatin e pritshëm, u larguan nga komisioni së bashku me vulën.


Por, ky rast, sipas Ristanit, ka shërbyer në të njëjtën kohë edhe për të konstatuar një dukuri tjetër dhe që ka të bëjë me sjelljen e prokurorisë. Ristani nuk ka nguruar të akuzojë organin e akuzës se në këtë rast ka mbajtur dy standarde të ndryshme për të njëjtën problem, pasi komisionerët socialistë të denoncuar nga prokuroria nuk janë ndjekur për shpërdorim detyre, ndërsa komisionerët e djathtë të denoncuar nga kolegët e tyre të majtë gjenden sot para drejtësisë. "Marrëdhëniet me prokurorinë do të doja që veprimi të ishte i fortë dhe i shpejtë.


Unë deri tani kam konstatuar një veprim jo të barabartë në rastin e një hetimi në Fier. Kallëzimi që KQZ-ja ka bërë në shkeljet e ligjit nuk është trajtuar njësoj me komisionerët e asaj qendre. Është një standard i dyfishtë i përdorur në këtë rast", - tha Ristani.


Nga anëtarët e mazhorancës, kryetarit të KQZ-së i janë kërkuar shpjegime pse nuk është zbatuar Kodi Zgjedhor për sa i përket eliminimit apo djegies së fletëve të votimit, ç'ka ai i është përgjigjur me argumentin se nuk është dashur që me një veprim të tillë t'i hidhet më shumë benzinë zjarrit të debatit politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›