E Shtunë, 31 Tetor 2026

F1 Vettel zapton Sepangun

Sërish ai. Ashtu si në Australi, në garën që hapi sezonin, pole position-i për Çmimin e Madh të Malajzisë i ka shkuar Sebastian Vettel.

Por menjëherë pas Red Bullit të kampionit të botës në fuqi janë vendosur dy Ferrarit, me në krye atë të Felipe Massa, që në momentin e fundit i mori vendin e dytë shokut të skuadrës, Fernando Alonso.

Për një moment spanjolli ka qenë më i shpejti, por është djegur, përveçse nga shoku i skuderisë, nga gjermani që në xhiron e fundit ka qenë i vetmi që ka zbritur nën kohën 1’50” (1’49”674).

Provat zyrtare në cirkuitin e Sepangut janë shoqëruar me reshje shiu, që kanë përfshirë një pjesë të pistës. Ndërkohë, Massa e ka mbyllur xhiron e tij të fundit me kohën 1’50”587, ndërsa Alonso me 1’50”727.

Vendi i katërt ka qenë për Mercedesin e britanikut Lewis Hamilton, që i ka paraprirë Red Bullit të Mark Webber dhe shokut të skuadrës Nico Rosberg.

Koha e shtatë më e mirë ka qenë për Kimi Raikkonen me Lotus, i ndjekur nga Jenson Button, Adrian Sutil dhe Sergio Perez.

Tashmë, pa shijuar ende pole position-in, Vettel thotë se mendon për garën e nesërme. “Kur nisesh nga vendi i parë mund të arrish i pari, por në një garë kaq të gjatë nuk mund ta dish se cili do të jetë fati yt”, ka thënë piloti gjerman në një intervistë.

“Menaxhimi i gomave do të jetë jetike, shpresojmë të arrijmë flamurin me fushën e shahut me pozicionin që arritëm sot”, ka thënë kampioni, i cili është shprehur i kënaqur për arritjen në pistën me shi. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›