E Diel, 1 Nëntor 2026

FC Prishtina, ekstra bonus për titull

Pavarësisht gabimeve të shpeshta, FC Prishtina nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga lufta për titull të kampionit. Kjo pasi bardhekaltrit duan që me këtë trofe ta festojnë 90-vjetorin e themelimit të klubit të tyre. Andaj, kryesia e klubit u ka premtuar lojtarëve të saj se do t’i shpërblejë me rreth 20 – 30 mijë euro, të cilat do t’i takojnë kampionit të ri të Kosovës nga shitja e të drejtave televizive.

Pavarësisht formës së luhatshme dhe gabimeve të shpeshta që po i bën në këtë sezon pranveror, FC Prishtina nuk e ka ndërmend që të ndalet në rrugën drejt cakut që ia ka mësyrë – titullit të kampionit të Kosovës.

Madje, duket se bardhekaltrit kurrë nuk kanë qenë më këmbëngulës për ta fituar këtë trofe sesa në këtë edicion. Kjo pasi sivjet FC Prishtina i mbush 90 vjet, andaj bardhekaltrit me çdo kusht – brenda suazave sportive – duan që këtë përvjetor ta festojnë me këtë trofe.

Andaj, udhëheqësit e klubit më të famshëm kosovar shpeshherë po u japin premi lojtarëve të tyre, kur ata po shënojnë fitore në ndeshje më të rëndësishme kampionale. Këtë e kanë bërë të ditur për Express disa futbollistë prishtinas. E këtyre të fundit, krerët e klubit do t’ua ndajnë edhe afro 30 mijë euro të tjera shpërblim, nëse në fund të kampionatit e çojnë lart trofeun e titullit të kampionit.

Në fakt, diku rreth aq para pritet t’i fitojë kampioni i ri i Kosovës, falë shitjes së të drejtave të transmetimit televiziv të ndeshjeve kampionale. E nëse FC Prishtina shpallet kampion, krerët e klubit ato para nuk do t’i lënë në arkën e tyre, por do t’ua shpërndajnë futbollistëve.

Këtë e ka konfirmuar për Express edhe vetë nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi. “Ende nuk dihet shuma e saktë e parave që do t’i fitojë kampioni i ri. Mirëpo, sipas disa parashikimeve dhe parallogaritjeve, ajo shumë me gjasë do të jetë prej 28 mijë deri në 30 mijë euro, aty diku. Por, të shohim. Është e vërtetë se nëse ato para do t’i takojnë klubit tonë, atë shumë ne do t’ua ndajmë futbollistëve tanë, varësisht prej kontributit të tyre të dhënë në fanellën bardhekaltër”, ka deklaruar Muçiqi.

Mirëpo, kontribut në grumbullimin e pikëve deri të deritanishme të FC Prishtinës kanë dhënë edhe dy njerëz, që më nuk janë pjesë e kësaj skuadre. Fjala është për dy trajnerët e shkarkuar, Wolfgang Jerat, e posaçërisht Ramiz Krasniqi, me të cilin bardhekaltrit ishin të pakonkurrentë gjatë vjeshtës.

I pyetur se a do të shpërblehen edhe këta dy ish-trajnerë për kontributin e tyre, Muçiqi tha: “Varësisht kush sa ka kontribuar, ashtu sigurisht se edhe do të shpërblehen. Nuk e di. Për këtë nuk vendos unë, por vendosim bashkërisht me kolegët e mi”, përfundoi ai.

Kjo është hera e parë që, nëpërmjet politikave të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), fituesi i titullit të kampionit do të shpërblehet me një shumë të konsiderueshme të parave, pasi deri më tani klubet vetëm shpenzonin, e asgjë në fund nuk përfitonin. FFK-ja është optimiste se prej vitit në vit shpërblimet do të shkojnë duke u rritur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›