Trepça ’89 e Vëllaznimi besojnë në titull

Java e 28-të e Superligës së Kosovës në futboll nuk ka qenë aspak e mirë për dy skuadrat pretendente për titull, Trepçën ’89 dhe Vëllaznimin, pasi kanë pësuar humbje nga Hysi, përkatësisht Besa.
Mitrovicasit, pas gjashtë xhirove pa humbje, këtë mesjavë janë mposhtur në Merdarë nga kamioni Hysi dhe kështu e kanë humbur kreun e tabelës. Mirëpo, trajneri i përkohshëm i ‘Xehetarëve’, Veton Çitaku, ka thënë se skuadra e tij do ta rikthejë pozitën e parë në tabelë dhe se ndeshja kryesore do të jetë ajo e parafundit me Prishtinën në Mitrovicë.
“Me siguri se ne do të rikthehemi në krye të tabelës dhe ndeshja përcaktuese do të jetë kundër Prishtinës në Mitrovicë. Çdo javë do të jetë e vështirë, por ne në fund do ta fitojmë titullin”, tha ai.
Për dallim nga Trepça ’89, skuadra e Vëllaznimit nuk është duke treguar formë të mirë në katër xhirot e fundit. Gjakovarët kanë pësuar dy humbje, kanë barazuar një dhe e kanë fituar një tjetër.
Trajneri i skuadrës kuqezi, Ajet Shosholli, formën jostabile të skuadrës në xhirot e fundit e ka arsyetuar me lëndimet e shumta dhe mungesat për shkak të kartonëve.
“Nuk kemi probleme me formën e ekipit, por me mungesat e shumta si: për shkak të lëndimeve dhe të kartonëve. Kur e kemi ekipin e kompletuar, jemi krejt skuadër tjetër”, u shpreh trajneri mitrovicas.
Ai po ashtu tha se skuadra e tij do të luftojë deri në xhiron e fund për titull, por e pranoi se Prishtina dhe Trepça janë favoritë për shkak se e kanë më të pasur bankën rezervë.
Prishtina synon ta ruajë kreun
Prishtina e ka shfrytëzuar shumë mirë humbjen e Trepçës ’89 dhe Vëllaznimit, duke e marrë kështu kreun e tabelës në Superligën e Kosovës në futboll. Trajneri i skuadrës kryeqytetase, Jusuf Tortoshi, është i lumtur pasi skuadra e tij është rikthyer në krye të tabelës, por ka thënë se asgjë nuk do të dihet deri në xhiron e fundit.
“Është mirë që e kemi marrë kreun dhe do të mundohemi ta ruajmë atë deri në fund. Por, deri në fund të kampionatit janë edhe pesë xhiro dhe deri atëherë nuk do të dihet asgjë”, u shpreh trajneri bardhekaltër.