E Shtunë, 31 Tetor 2026

FED ndryshon politikën 100-vjeçare

Kreu i Rezervës Federale, Ben Bernanke, do të ketë fatin të shënojë edhe ndryshimin 100-vjeçar të traditës së Bankës Qendrore Amerikane në muajin e ardhshëm. Ai do të nisë të mbajë konferenca për shtyp, menjëherë pas përfundimit të takimeve të bordit të politikës monetare. Ndryshimi historik i një institucioni të njohur me një profil të lartë sekreti, do t’i japë kreut të saj Bernanke një mundësi për të informuar më mirë publikun dhe tregjet financiare, mbi mënyrat se si Rezerva Federale do të synojë të maksimizojë rritjen e ekonomisë duke ruajtur një nivel të ulët të inflacionit. Paralelisht komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun do të demistifikojë Rezervën Federale, në një kohë kur është rritur presioni mbi të gjitha bankat qendrore në botë, për të qenë më të hapura ndaj publikut. Bernanke, deri në këto momente konsiderohet si kampion i transparencës, që nga momenti kur mori përsipër drejtimin e Bankës Qendrore Amerikane në vitin 2006. Programi i transparencës do të nisë në 27 prill. Programi përmban 4 konferenca për shtyp në vit të cilat do të pasojnë mbledhjet e bordit drejtues të bankës për politikën monetare. Ndërsa konferenca për shtyp e 27 prillit do të jetë e para që një Guvernator i Bankës Qendrore mban në historinë e bankës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›