E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, studiuesit e huaj: I rrezikshëm sipas fesë

SHKRUAN: Jonida Tashi 26-03-2011 11:36

Harmonia fetare, virtyti më i çmuar i shqiptarëve, që është lakmuar edhe nga mjaft vende të botës, rrezikon të na përçajë, nëse besimi fetar do të përdoret si e dhënë në regjistrimin e popullsisë. Ndaj, studiuesit e huaj të kësaj fushe paralajmërojnë se regjistrimi i popullsisë në vendin tonë nuk duhet të bëhet sipas fesë dhe etnisë, pasi vetëdeklarimi i besimit fetar do të sillte pasoja të rrezikshme. Shqetësimi për procesin e regjistrimit të popullsisë në vend ka dalë tashmë përtej kufijve të Shqipërisë, duke u bërë edhe fokusi i simpoziumit ndërkombëtar me temë: “Këndvështrim i diversitetit fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan nga perspektiva globale”, i cili është çelur dje në Tiranë, për të përfunduar ditën e sotme. Regjistrimi i popullsisë, i cili identifikon besimin fetar është konsideruar i rrezikshëm nga studiues dhe profesorë të huaj. Profesor doktor Paul Weller, i specializuar për çështjet fetare në Britani, pasi është njohur me debatin në Shqipëri, është shprehur se duhet bërë shumë kujdes, nëse në një regjistrim popullor i kërkon individëve të deklarojnë fenë së cilës i përkasin. Në ditën e parë të simpoziumit ndërkombëtar për fenë profesorë dhe studiues të fesë në universitetet Derby në Angli dhe Fatih në Turqi kanë argumentuar arsyet se përse regjistrimi i popullsisë nuk duhet të bëhet në bazë të fesë dhe etnisë. Një nga ekspertët e njohur në këtë fushë, Mustafa Ozcan, anëtar i bordit drejtues të Universitetit Fatih, i pranishëm në këtë simpozium, tha se besimi është një çështje mes individit dhe Zotit dhe duhet të mbetet i tillë. “Të gjithë duhet të respektojnë personin, mendimin dhe besimin e tij. Unë s’i di detajet e kësaj çështjeje, se çfarë qëllimesh fshihen pas saj, por, siç e thashë, besimi i intereson vetëm personit dhe askujt tjetër. Feja është e drejtuar nga besimi dhe është mes njeriut dhe Zotit. Nuk i di prapaskenat, ndaj s’mund të them më shumë se kaq”, - ka deklaruar Ozcan. Ndërsa prof. dr. Paul Weller, përfaqësues i Derby University, në Mbretërinë e Bashkuar, sqaron se ky regjistrim do të mbartë edhe probleme të tjera, pasi pakicat etnike do të kishin të tjera pretendime. “Nuk e di mirë çështjen këtu, por mund të them që ky debat është bërë edhe te ne para 10 vjetësh. Çfarëdo që të bëhet, duhet të ketë shumë kujdes, që përgjigjet të mos keqkuptohen dhe të keqpërdoren. Ka një rrezik, që kur të merret përgjigjja mund të sjellë konkurrencë mes grupimeve fetare dhe kjo është arsyeja që shumë vende s’e bëjnë këtë pyetje. Nëse bëhet, duhet të bëhet me kujdes, që të mos keqpërdoret. Aq më tepër në Shqipëri që ka martesa të përziera mes feve të ndryshme. Por ndonjëherë jeta është më e ndërlikuar se të japësh një përgjigje dhe duhen bërë pyetje të detajuara”, - ka deklaruar Weller. Në fakt, sipas të dhënave të raportuara në simpozium, janë të shumta vendet që regjistrimin e popullsisë nuk e kanë kryer në bazë të fesë dhe etnisë, duke respektuar edhe besimin e qytetarëve dhe duke shmangur çdo formë për përdorimin e tij. Në simpoziumin ndërkombëtar mbi këndvështrimin e diversitetit fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan, të organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Universiteti i Tiranës, kanë qenë të pranishëm edhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, si dhe rektori Dhori Kule. Ministri i Kulturës ka vlerësuar harmoninë fetare si pasuri të çmuar të shqiptarëve, duke u shprehur se “harmonia ndërfetare është jo vetëm një rast unik, por një vlerë shumë përfaqësuese e kombit tonë. Ne gjithmonë kemi luftuar për ruajtjen e këtij tipari identifikues për shqiptarët, që na afron me familjen e madhe europiane”. Ndërsa rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, duke vlerësuar harmoninë ndërfetare ka theksuar se diversiteti fetar është një pasuri e kombit tonë. Sipas tij, kjo vlerë e vendit tonë është një shembull që do t’i shërbejë rajonit të Ballkanit, fakt ky që është pranuar edhe nga studiuesit e huaj.

“Mund të bëhen pyetësorë për të pyetur njerëzit për besimin fetar në popullsi, por është e rrezikshme kur këtë pyetje e bën në regjistrim zyrtar të popullsisë. Rreziku qëndron pasi mund të krijohen përplasje midis grupeve etnike, të cilët mund të pretendojnë se janë më shumë, se një grup tjetër. Gjithashtu, nuk është e drejtë t’i kërkosh një personi të zgjedhë një fe, kur është i martuar me një person të një feje tjetër, gjë që ndodh shumë shpesh në Shqipëri”.

Paul Weller

“Të gjithë duhet të respektojnë personin, mendimin dhe besimin e tij. Unë s’i di detajet e kësaj çështjeje, se çfarë qëllimesh fshihen pas saj, por, siç e thashë, besimi i intereson vetëm personit dhe askujt tjetër. Feja është e drejtuar nga besimi dhe është mes njeriut dhe Zotit. Nuk i di prapaskenat, ndaj s’mund të them më shumë se kaq”.

Mustafa Ozcan

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›