Çefa: Ja si do të ndahen 1 mld lekë për ish pronarët
Janë 1 miliard lekë që do t’u shpërndahen ish-pronarëve për kompensim. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka shpallur datën 28 mars për nisjen e procesit të pranimit dhe regjistrimit të kërkesave të ish-pronarëve për kompensimin në të holla për pronat e tyre, që njihen për kompensim, një proces që do të zgjasë plot 30 ditë. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së Elvis Çefa ka ftuar të gjithë subjektet e shpronësuar apo trashëgimtarët e tyre të dorëzojnë kërkesat për kompensimin bashkë me dokumentacionin shoqërues. Çefa ka deklaruar se procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë, ditën e hënë më datë 28.03.2011 dhe do të zgjasë 30 (tridhjetë) ditë kalendarike. Drejtori ka bërë me dije se ka ngritur grupin e punës për pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara. Sipas Çefës, në këtë proces përfitojnë kompensim, subjektet e shpronësuara që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet. Nga fondi i vitit 2011 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, të cilët janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin me të cilin aplikojnë. Kompensimi në fjalë bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit është sipas skemës së mëposhtme: Për pronat e njohura për kompensim deri në 1 500 (njëmijë e pesëqind) m2, masa e kompensimit është 200 (dyqind) m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 1 500 (njëmijë e pesëqind) m2 deri në 3 000 (tre mijë) m2, masa e kompensimit është 300 (treqind) m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 3 000 (tre mijë) m2 deri 5 000 (pesë mijë) m2, masa e kompensimit është 400 (katërqind) m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 5 000 (pesë mijë) m2 deri në 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit është 500 (pesëqind) m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit është 600 (gjashtëqind) m2. Sipas AKKPs-ë aplikuesit apo përfaqësuesit me prokurë kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 000 lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë në të cilën në rast përfitimi do të depozitohet shuma që përfitohet.
Subjektet e shpronësuara duhet të paraqesin pranë AKKP-së, kërkesën dhe deklaratën tip, të plotësuara sipas rubrikave. Titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit apo Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës në rastet kur vendimet e sipërcituara janë ndryshuar në rrugë gjyqësore; Planvendosjen e vendimit, si dhe planin e rilevimit të pronës së njohur për kompensim në fragmentin e hartës treguese të regjistrimit të pasurive. Plani i rilevimi duhet të pasqyrojë konturin (kufirin) e pronës së vjetër duke përcaktuar qartë sipërfaqen e njohur, të kthyer dhe atë të njohur për kompensim; Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre;Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare; Fotokopjen e dokumentit të identifikimit të përfaqësuesit me prokurë; Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë, e cila paguhet në zyrën e financës së AKKP-së. Ndërkohë që subjektet që kanë aplikuar për kompensim në të holla në vitet 2008 dhe 2009 duhet të paraqesin pranë AKKP-së: Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM së mësipërme, të plotësuara sipas rubrikave. (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do t’u ofrohet konsulencë nga punonjësit e AKKP-së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);
Dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.
Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008 apo 2009 ka kufizim në kohë për tagrin e përfaqësimit, tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar. AKKP ka njoftuar se subjektet e shpronësuar, të cilët kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2009, dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2011.
Thirrja për aplikim vjen në mbështetje të VKM-së nr. 192, datë 09.03.2011 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla, për vitin 2011”.