FEST 64/ Gati për spektaklin e 3 netëve të ardhshme me yje ndërkombëtarë dhe duete nostalgjike

Autorja e FEST 64, Belioza Çoku, ka ndarë disa detaje mbi tri netët e tjera të festivalit 18-19-20 dhjetor.
Nga duetet nostalgjike që do bashkojnë brezat, deri te performancat e artistëve shqiptarë që kanë shkelur skenat ndërkombëtare, çdo natë do të ofrojë një spektakël të veçantë. Po ashtu, një emër i njohur si Tommy Cash do të shpërndajë energji të jashtëzakonshme në skenë.
“Nesër do të kemi një surprizë që do të hapet nga prezantuesja e natës. Pjesëmarrësja është një artiste shqiptare që ka arritur sukses ndërkombëtar dhe do të na mahnisë me performancën e saj. Në fund të natës, një tjetër surprizë do të ngrihet nga salla dhe do të na nderojë, jo vetëm me emrin, por edhe me zërin e saj të mrekullueshëm. Në natën e nostalgjisë, brezat do të takohen së bashku, dhe duetet do të jenë fantastike. Ky moment do të përfshijë të gjithë dhe do të sjellë shumë emocione për publikun“, tha Çoku.
Çoku zbuloi disa nga artistët e njohur që do të performojnë në natën e katërt të festivalit, duke përfshirë Bleona Qerretin, Shkodra Elektronike, Elsa Lilën dhe Aleksandër Gjokën.
“Nata e 4-të, pritet Tomy, Bleona Qerreti që del me një performancë fantastike, është Shkodra Elektronike, Elsa Lila dhe Alësandër Gjokën që vijnë me një krijim të ri “, deklaroi autorja e festivalit Bioleza Çoku.
FEST 64 vazhdon të sjellë emocione të forta dhe surpriza për publikun shqiptar, duke bërë çdo natë një eksperiencë të paharrueshme.