Prapaskenat e Fest 64, Andri Xhahu e Antoneta Koçi shprehin emocionet e artistëve, pas kuintave

Festivali i Këngës në RTSH, një traditë me dhjetra dekada, nuk është vetëm një garë mes artistësh, por edhe përjetim i fortë emocionesh. Skena i vesh artistët me magjinë e saj, ndërsa përjetimet janë po aq të forta edhe para interpretimit live për publikun.
Një hap larg skenës do të jenë gazetari dhe moderatori Andri Xhahu, së bashku me moderatoren Antoneta Koçi.
Ata zbulojnë të rejat për këndin e prapaskenave, ku do të presin artistët në garë.
“Shumë emocione pozitive për mua, besoj shumë do të ketë edhe për artistët. Ne do të përpiqemi t’iu sjellim atyre një bisedë sa më të thjeshtë, që të kalojnë ato emocione dhe ta përjetojnë sa më bukur këtë event kaq të rëndësishëm për të gjithë ne,” u shpreh moderatorja Koçi.
“Dhe ajo që është më e bukura është se përtej shkëlqimit të skenës së Festivalit, në pas skenë janë emocionet e vërteta: ka emocione, ka ankth, ka dridhje duarsh, ka lot, shpresa, zhgënjim. Ne do të jemi me fat që ato sekonda para dhe pas performancës t’i kemi ekskluzivisht. I ftojmë shikuesit të na ndjekin,” tha Xhahu.
Një mundësi drejt suksesit janë edhe artistët e rinj. Për ta, debutimi në Fest 64 është një rrugë e sigurt drejt afirmimit në arenën e muzikës shqiptare, por gjithashtu një mundësi për të prekur edhe skenat ndërkombëtare.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/