“Lahuta në UNESCO, krenari shqiptare”, foklori dhe trashëgimia kulturore në fokus të aktivitetit

Në sallën e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” në Shkodër u zhvillua koncerti me temë “Lahuta zyrtarisht në UNESCO, krenari shqiptare”, një aktivitet i dedikuar trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale shqiptare të përfshirë në UNESCO.
Emanuel Luka, ndonëse vetëm 16 vjeç, vijon traditën familjare të këtij instrumenti të lashtë popullor.
“E kam trashëguar prej gjyshit. Kam nisur që në moshën 5-vjeçare të luaj me lahutën. Është instrument i lashtë dhe ka vetëm një tel,” tha Luka.
Majlinda Spiro zgjodhi dy pjesë në flaut. Për të, përfshirja e Lahutës në UNESCO mbetet një moment i rëndësishëm për vlerat shqiptare.
“Do të jemi për të dëshmuar se sa e rëndësishme është regjistrimi i lahutës si trashëgimi e kulturës tonë kombëtare,” tha Majlinda Spiro, flautiste.
Muzikologu Qamil Gjyrezi u ndal tek dedikimi dhe promovimi që prej vitesh i bën lahutës.
“Me rëndësi historike, kombëtare dhe kulturore është pranimi i lahutës në UNESCO. Një instrument i cili është thelb i kulturës sonë dhe e përfaqëson atë,” tha Qamil Gjyrezi, muzikolog.
Koncerti, nën drejtimin e maestros Rozeta Leka, solli në vëmendje vlerat e muzikës tradicionale shqiptare dhe ndikimin e folklorit në krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë, si Vasil Tole, Tonin Daja e të tjerë.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/