E Shtunë, 31 Tetor 2026

FETI VOGLI DHE MINATORËT

Share

 

Nga Fiqiri Xibri

Vetëm para pak ditësh opinioni shqiptar u njoh me incidentin e dy ushtarakëve shqiptarë të forcave paqeruajtëse në Afganistan, ku kapiten Feti Vogli humbi jetën. Në ditët vijuese u bëmë të gjithë dëshmitarë të një shpërthimi, sipas meje të pajustifikuar, patetizmi institucional, politik dhe mediatik.

Kapiten Feti Vogli u shpall nga Ministria e Mbrojtjes Dëshmor i Atdheut. Presidenti Bamir Topi u ka dhënë familjarëve të tij Medaljen e Artë të Shqiponjës për merita të veçanta. Varrimi i bëhet tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Një pjesëmarrje në homazhe për tu admiruar, që nga koka dhe figura të spikatura të shtetit dhe politikës e deri tek trojka e ambasadorëve më të shquar.

Institucionet, politikanët dhe mediat lëshojnë pa doganë lloj lloj vlerësimesh superlative për të, duke e quajtur deri edhe hero !

Megjithë respektin për të rënin në krye të detyrës dhe duke i shprehur ngushullimet më të sinqerta familjes, nuk rri dot pa thënë mendimin tim, se i gjithi ky nderim për Voglin nuk është veçse një rast për politikanët, që të bëjnë politikë, të na hiqen patriotë dhe të denjë për NATO-n.

E di se më të shumtit e politikanëve do ta injorojnë këtë qëndrim timin, ose edhe nëse do prononcohet ndokush syresh, do të më akuzojnë për herezi. Por unë megjithatë do këmbëngul, se incidenti me pasojë vdekjen e kapiten Voglit nuk përbën kurrsesi një rast të veçantë për kaq shumë pathos, pasi është thjesht një fatkeqësi në punë.

I aksidentuari me vdekje gjatë punës, kapiten Vogli nuk ka asnjë dallim nga të gjithë ata mijra minatorë, që kanë humbur jetën në punë në 50 vjet. (Vetëm në Bulqizë këto 3 vitet e fundit janë afro 20 minatorë të aksidentuar me vdekje)

Si ushtarakët shqiptarë të NATO-s, si minatorët shqiptarë (apo të tjerë shqiptarë profesionesh të rrezikshme) janë në vëndin e punës që kanë zgjedhur vetë, pa i detyruar kush (paçka se nga halli e bëjnë).

Si ushtarakët shqiptarë të NATO-s, si minatorët shqiptarë e kanë marrë parasysh propabilitetin e lartë të rrezikimit të jetës për punën që kanë marrë përsipër.

Si ushtarakët shqiptarë të NATO-s, si minatorët shqiptarë janë të gëzuar që e kanë atë vend pune, sepse ushqejnë familjet e tyre. Minatorët paguhen 18 USD dita, diçka më mirë se profesionet e tjera, ushtarakët e Natos paguhen 100 USD (50 USD po qe se heqim parapagesën e korrupsionit), pra shumë më mirë sesa minatorët.

Minatorët përveç rrezikut për jetën përballen përditë me kushte të rënda pune, që u shkaktojnë probleme me shëndetin dhe shkurtim të jetës, ushtarakët jo.

Minatorët bëjnë pjesë (jo më kot) tek kategoria “A” në specifikimin e profesioneve, bashkë me pilotët dhe palombarët, ushtarakët jo. Pra minatorët duhet të ishin më të privilegjuar në paga, trajtim social, pensione etj. ndërkohë që ndodh e kundërta. Etj.

Sipas përkufizimit gjuhësor, as ushtarakët e as minatorët nuk mund të quhen dëshmorë, pasi dëshmor quhet «ai që vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore, ai që fal jetën për të mirën e popullit e të atdheut.»

Si ushtarakët, si minatorët do mund të përfshiheshin në përcaktimin përkufizues « ai që fal jetën për të mirën e popullit dhe atdheut,» vetëm nëse togfjalëshin fal jetën do ta zevëndësonim me humb jetën

Ky është një lapsus në përkufizim, mund të më thotë dikush.

Jo. Këtu nuk ka kurrfarë lapsusi.

Ka dy raste, kur dikush që humb jetën, e meriton emrin dëshmor.

E para: – Kur dikush gjatë pjesëmarrjes së tij vullnetare në një veprimtari dhe i nxitur nga ideali i tij « vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore ».

E dyta: – Kur dikush, i cili paguhet për ushtrimin e një veprimtarie, gjatë së cilës në rrethana të caktuara kushtëzohet arritja e objektivit me sakrifikimin e jetës, me vetëdije të plotë dhe i nxitur nga ideali i tij « fal jetën për të mirën e popullit e të atdheut ».

Humbjen e jetës të të nderuarit kapiten Feti Voglit mund ta quajmë rastësi, pakujdesi, incident, aksident, pabesi apo ku di unë se çfarë akoma, por nuk arrij të shoh këtu asnjë shenjë bindëse për sakrificë, vetëmohim, princip të veçantë moral ose idealist, akt sublim ose heroik.

Nuk i jap të drejtë askujt, që të ndjerin Vogli ta quaj thjesht mercenar, ngaqë ai ndodhej në një vend të huaj. Jo, sepse ai ishte aty në kuadër të NATO-s, ku ne bëjmë pjesë.

Ama me plot gojën mund ta quaj atë rrogëtar apo siç njihet në shumë gjuhë të botës, soldner.

Me këtë nuk dua ti kritikoj a blasfemoj askujt të drejtën për të folur për kapiten Voglin ashtu siç e ndjen dhe siç frymëzohet, me pathos apo me superlativa. Me shpalosje respekti apo shpalosje patriotizmi. Këto janë gjëra për të cilat nuk ka etalone matëse.

Po  pikërisht pse nuk ka etalone, ndodh shpesh që pas patetizmit fshihet demagogjia dhe hipokrizia.

Ngushullime familjes ! Ju prehtë shpirti në paqe !

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›