Kuvendi miraton me konsensus kodin e ri penal
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me konsensus kodin e ri penal, edhe pse më parë kishte pasur kundërshti mes palëve. Në kodin e ri nuk janë përfshirë propozimet e opozitës për ndëshkim të falsifikatorëve të statistikave.
Gjatë seancës kryetari i Grupit Parlamentar të opozitës, Gramoz Ruci deklaroi se mazhoranca nuk do të negociojë me opozitën pasi nuk do të ndëshkojë falsifikatorët e statistikave:
Mazhoranca nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të negociuar me opozitën. Pra u provua se juve ju mungon vullneti për të dënuar falsifikatorët e statistikave. Ju duhet falsifikimi për të fshehur gropën ku është futur ekonomia shqiptare, për të fshehur varfërinë, për të fshehur borxhin galopant ku po zhytet çdo ditë e më shumë Shqipëria, tha Ruçi.
Më herët përfaqësuesja e opozitës Vasilika Hysi është shprehur se këto ditë Kryeministri deklaroi refrenin se opozita po bllokon reformat, duke shtuar se opozita ka votuar Kodin Civil, Ajror dhe Rrugor, madje në Kodin Civil opozita ka bërë disa amendime shumë të rëndësishme, duke përfshirë koncepte të së drejtës ndërkombëtare pa cenuar konceptet e të drejtës tradicionale shqiptare.
Kuvendi zgjati gjithashtu edhe mandatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore deri në datën 30 prill, ndërkohë që sipas marrëveshjes së muajit nëntor, mes PD dhe PS, ky komision duhej të kishte përfunduar punën më 1 mars.