FFK, pro bashkimit me Shqipërinë
_983157.jpg)
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) edhe zyrtarisht është deklaruar se e mbështet formimin e një lige të përbashkët me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Në fakt, FSHF-ja para pak ditëve kishte kërkuar opinionin e FFK-së në lidhje me kërkesën e klubit Prishtina që t'i bashkohet elitës së futbollit të Shqipërisë. Bardhekaltrit kishin kërkuar që së bashku me një skuadër tjetër kosovare të luajnë në kampionatin shqiptar prej edicionit të ardhshëm. Madje, rreth kësaj kërkese, shtëpia e futbollit shqiptar ka kërkuar edhe opinionin e FIFA-s e UEFA-s.
Por, shtëpia e futbollit kosovar i është përgjigjur e para FSHF-së. Krerët FFK-së janë të pajtimit që të formohet një ligë e përbashkët e përbërë proporcionalisht me klube të Shqipërisë e Kosovës, e jo që vetëm një apo dy ekipe kosovare të garojnë në Superligën shqiptare, siç ka kërkuar Prishtina.
“Ne iu përgjigjëm FSHF-së se FFK-ja është pro formimit të një lige të përbashkët, derisa Kosova të pranohet në FIFA e UEFA. Por, jo ashtu siç ka kërkuar Prishtina. Prishtina në atë rast është ngutur, pasi krye në vete e ka bërë një kërkesë të atillë në FSHF, pa u konsultuar fare me FFK-në dhe institucionet tjera, pasi Kosova është shtet dhe ky rast është i ndjeshëm, andaj qe dashtë Prishtina të konsultohet me shumë palë”, deklaroi për Express sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. “Sidoqoftë, ne jemi pro formimit të një lige të përbashkët”, theksoi ai.
Mirëpo, fjalën e fundit duhet ta thotë FIFA e UEFA, prej të cilave FSHF-ja veç ka kërkuar rekomandime rreth kësaj çështjeje. Por, Salihu nuk beson se FIFA e UEFA do ta mbështesin formimin e një lige të përbashkët mes FSHF-së e FFK-së, sidomos për faktin se Kosova ende nuk është anëtare e këtyre dy organizatave.
“Iniciativat e tilla asnjëherë nuk priten mirë nga UEFA, e cila nuk e pati mbështetur edhe idenë e shumëpërfolur një kohë në rajon rreth formimit të një lige ballkanike”, tha Salihu.
Ai ka theksuar se gjasat do të ishin shumë më të mëdha që FIFA e UEFA ta lejonin formimin e një lige të përbashkët mes FSHF-së e FFK-së, vetëm pas ndërkombëtarizimit të plotë të futbollit kosovar.
Por, nëse FIFA e UEFA ia japin dritën jeshile FSHF-së për formimin e një lige të përbashkët, Salihu thotë se projektin e asaj lige do ta hartonte FFK-ja në bashkëpunim të ngushtë me shtëpinë e futbollit shqiptar. “Nëse krijimi i ligës së përbashkët nuk ka pengesa juridike, për kriteret dhe modalitetet duhet të vendosin dy federatat, FFK-ja dhe FSHF-ja”, ka përfunduar Salihu.
Njëkohësisht me Prishtinën, edhe Aleanca Kuq e Zi kishte kërkuar formimin e një lige të përbashkët mes klubeve të Shqipërisë e Kosovës. Madje, kjo ide në opinionin mbarëshqiptar qarkullon tash e shumë vite, por asnjëherë nuk është marrë seriozisht sesa tani nga FSHF-ja e FFK-ja, krerët e të cilave thoshin se ajo ide bie ndesh me rregulloret e FIFA-s e UEFA-s.