Pak për restaurimin e monumenteve të trashëgimisë
Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore në rajonin e Pejës, në mungesë të mjeteve buxhetore ka arritur të realizojë një numër të vogël të projekteve trashëgimore të parapara për ndërtim dhe restaurim.
Sipas përfaqësuesve të këtij instituti, një projekt që është dashur të përfundonte është restaurimi i Qarshisë, por në mungesë të mjeteve ka ngelur në gjysmë, andaj kërkohet edhe kontributi i pronarëve të dyqaneve.
Avdyl Hoxha, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore në Pejë, ka thënë se mungesa e mjeteve ka pamundësuar realizimin e projekteve të parapara për vitin 2011.
"Për ndërtimin e Qarshisë duhet të bëhet një punë e përbashkët në mes të Komunës së Pejës, Institutit dhe dyqanxhive. Pronarët e dyqaneve duhet të investojnë në rindërtimin e Qarshisë, ndërsa obligim i institutit është që t'i pajisë me leje dhe të hartojë projektet e ndërtimit. Shpresojmë që bile gjatë këtij viti të kryhen punimet në restaurimin e Qarshisë", ka thënë Hoxha.
Këtë vit, sipas tij, përveç përfundimit të fazës së fundit të objektit të Jashar Pashës dhe një pjese të kompleksit të Mullirit të Haxhi Zekës nuk është punuar edhe aq shumë.