Ferguson lavdëroi Shaqirin e Xhakën

Selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, ka treguar se gjatë një takimi që kishte me menaxherin e Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, kishin biseduar edhe për dyshen shqiptare të Baselit, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Madje, trajneri skocez e kishte shfaqur qartë simpatinë që ka për këta dy lojtarë, për të cilët është i bindur se mund të jenë të suksesshëm në çfarëdo ekipi.
“E kam takuar Fergusonin para ndeshjes derbi për kupë ndaj Manchester United dhe City dhe kemi biseduar për ta. Ai më ka thënë se këta dy lojtarë mund të luajnë mirë në çfarëdo kampionati të botës. Ai ishte vonë dhe nuk mundëm të flisnim shumë”, deklaroi trajneri gjerman.
Ai ka folur edhe për Admir Mehmedin, i cili ditë më parë iu bashkua Dinamo Kievit. Ish trajneri i Bayern Munichut brengoset për vendimin e sulmuesit shqiptar që të largohet në këtë periudhë nga Zurichu.
“Jam i shqetësuar. Në Kiev, Mehmedi ka përpara dy sulmues të fortë, por edhe veteranin Andrei Shevchenko, një lojtar që ende mund të luajë. Pastaj vjen Mehmedi. Ne e kemi parë një rast të tillë te Ben Khalifa në Wolfsburg. Shpresoj që Mehmedi megjithatë të ketë sukses në Ukrainë”, shtoi Hitzfeld i cili të enjten i mbushi 63 vjet.
Galatasaray interesohet zyrtarisht për Shaqirin
Galatasaray ia ka vënë syrin Xherdan Shaqirit. Klubi turk është i nxehtë më shumë se kurrë që ta bëjë të vetin mesfushorin kosovar qysh në janar. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i klubit nga Stambolli, Unal Aysal.
“Unë personalisht nuk e kam takuar, por i kam udhëzuar përfaqësuesit e klubit që të intervenojnë. Aktualisht jemi të angazhuar në bisedime me Shaqirin”, u shpreh Aysal.
Një ditë më parë, edhe trajneri i klubit turk, Fatih Terim, e kishte shprehur haptazi simpatinë që ndien për përfaqësuesin zviceran. “Është e qartë se e duam Shaqirin. Ishim të interesuar për të që nga korriku, por këtë herë jemi më seriozë. Për momentin jemi duke negociuar me të”, tha trajneri i njohur turk.
Drejtori i Baselit, Bernhard Heusler ka konfirmuar se ka marrë ofertë zyrtare për lojtarin kosovar, por klubi zviceran nuk është i gatshëm të heq dorë nga xhevahiri i tyre, “E kemi marrë ofertën nga Stambolli. E kemi marrë në konsideratë, por sot për sot, kjo nuk është bazë e fortë për t’i filluar negociatat. Për momentin, nuk jam i gatshëm ta shes një lojtar si Shaqiri”, deklaroi Heusler për magazinën Blick.
Për Shaqirin interesim kanë shfaqur edhe klubet tjera të njohura evropiane si Manchester United, Liverpool, Barcelona, Bayern Munich, Hamburg, Borussia Monchengladbach, Lille, Porto e Dinamo Kiev.