E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIA: Motorr unik nga 2010, Ferrari kërcënon me largim

Nga Altin Latifi
Ferrari ka kërcënuar se do të largohet nga bota e Formula 1, nëse FIA vë në zbatim idenë që të gjitha skuderitë të kenë motorr unik. Një projekt i tillë mendohet të hyjë në fuqi në vitin 2010, por vështirë se do të pranohet nga skuderitë kryesore. 

Ideja për një motorr unik në gjithë Formula 1, e menduar nga FIA duke nisur që nga viti 2010, nuk u pëlqen skuderive të këtij sporti. Aq sa Ferrari, në mbledhjen e fundit të Këshillit Administrativ në Maranelo, ka bërë të ditur se do të shikojë mundësinë e tërheqjes nga ky sport. Një lajmërim i bujshëm që ka tërhequr vëmendjen e të gjitha mediave botërore, duke parë se bëhet fjalë për një nga skuderitë më të famshme në sportin e automobilizmit. “Ne jemi kundër projektit për standartizimin e motorrëve, që do ta privonte F1 nga vetë arsyeja e ekzistencës, që bazohet pikërisht te zhvillimi teknologjik. Nëse kjo ndodh, ne do të rishohim prezencën tonë në këtë disiplinë”, bëhet e ditur në një komunikatë për shtyp të skuderisë kokëkuqe. Deklarata vjen vetëm pak orë pasi FIA kishte njoftuar kompanitë e prodhimit të motorrëve për makinat që të bënin ofertat e tyre. Formula 1 është një garë që bazohet jo vetëm tek aftësitë e pilotëve, por tregon edhe fuqinë teknologjike të kompanive të ndryshme të prodhimit të makinave. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›