FIFA, Shqipëria humb një pozicion
Kur duheshin edhe 10 orë para se Malta e Shqipëria të zbrisnin në fushë për t‘u përballur në ndeshjen e kthimit në Grupin 1, të dyja kombëtaret kanë marrë një lajm jo të mirë: kanë pësuar rënie në renditjen mujore të FIFA-s për kombëtaret e gjithë globit. Qeveria e futbollit botëror ka publikuar dje renditjen e muajit shkurt 2009, ku bie në sy humbja e një vendi nga Shqipëria në krahasim me muajin janar 2009. Tashmë kuqezinjtë pozicionohen në vendin e 79-të në kuotën e 435 pikë, por me një bonus prej +11 pikësh. Në renditjen e muajit janar ishim në vendin e 78-të, me vetëm 424 pikë. Po ashtu edhe Malata e shikon veten në një spirale me kah nga poshtë. Ka humbur 6 pozicione dhe renditet në vendin e 154-t, me 134 pikë. Në Evropë, Shqipëria është e 37-ta (-1), ndërkohë që Malta është e 50-ta (-1) nga 53 vende që aderojnë në UEFA. Nga kundërshtarët e tjerë të eliminatoreve të Botërorit 2010, Portugalia ndodhet e 12-ta (zbret 1 vend), Suedia e 25-ta (+6 vende), Danimarka e 34-ta (+2), Hungaria e 43-ta (+4). Renditja botërore kryesohet sërish nga Spanja (1693 pikë), Gjermania (1403 pikë) e Holanda (1357), Italia (1318), Brazili (1248), Argjentina (1181) etj.