FIFA gjobë Shqipërisë për dushet
TIRANE- Federata Shqiptare e Futbollit ia ka hedhur me një gjobë prej 15 mijë eurosh, pas problemeve të mëdha që u hasën në ndeshjen me Danimarkën më 9 shtator. Vendimi i Komisionit Disiplinor të FIFA-s ka qenë i zbutur për Shqipërinë, kjo edhe për shkak se tashmë ndeshjet kanë mbaruar dhe edicioni i ardhshëm do afro një vit që të startojë. Sanksioni ka ardhur këto ditë në FSHF dhe është konfirmuar edhe nga burime zyrtare nga ky institucion. Gjithsesi, në Federatë janë ndjerë disi të lehtësuar, pasi pritej që masa të ishte vërtetë e rëndë. Në takimin mes Shqipërisë dhe Danimarkës, gjëja më skandaloze ishte mungesa e ujit të ngrohtë në dushet e stadiumit “Qemal Stafa”, ç’ka bëri që futbollistët danezë të iknin pa u larë apo një pjesë të laheshin me ujë të ftohtë. Një gjë e tillë u pohua edhe nga burime zyrtare në Federatë, ndërkohë që edhe kapiteni i ekipit përfaqësues Altin Lala deklaroi se nuk ishte hera e parë që në stadiumin kombëtar mungonte uji i ngrohtë dhe futbollistët detyroheshin të laheshin me ujë të ftohtë.
(e.n/A.Latifi/Balkanweb)
(e.n/A.Latifi/Balkanweb)