E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi, pranga kandidates për deputete te PD

TIRANE -Zbulohet skema më e suksesshme e vjedhjes me anë të mashtrimeve pas 'piramidave' famëkeqe të viteve 1995-1997. Katër persona janë marrë të pandehur nga prokuroria për vjedhjen e 250 mijë eurove, mes të cilëve edhe Drejtoresha e Tatim-Taksave të Fierit, Nevila Bami, njëkohësisht kandidate e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit për deputete e qytetit të Lushnjës. Tre të akuzuarit e tjerë, Shkëlqim Sako 56 vjeç, Ajeta Shkëmbi 43 vjeçe dhe Marjana Palla 40 vjeçe, akuzohen të kenë ngritur një firmë fantazmë dhe të kenë krijuar një rrjet bashkëpunimi me të paktën 25 firma të tjera, nga të cilat kanë marrë fatura sikur u kanë shitur mallra me vlerë mbi 1 milion euro. Përfitimi i tyre vinte nga rimbursimi i faturave të TVSH, që sipas burimeve shkonte në rreth 250 mijë euro. Vjelja e këtyre faturave, sipas burimeve të Gazetës dyshohet se kryhej me bashkëpunimin e drejtoreshës Bami, gjatë kohës që ajo shërbente në Degën e Tatim-Taksave të Lushnjës dhe më pas me titullimin e saj pas dështimit në zgjedhjet parlamentare, si drejtoreshë e Tatim-Taksave të Fierit. Prokuroria pretendon se ka sekuestruar një faturë për firmën fantazmë të Sakos, Shkëmbit dhe Pallës, të firmosur nga drejtoresha Bami.

Rasti i hetuar nga Task-Force dhe skuadra e antikrimit financiar në Policinë e Tiranës, mund të konsiderohet si shuma rekord që i është vjedhur ndonjëherë shtetit shqiptar me anë të mashtrimeve dhe manovrave financiare. Vlera prej 250 mijë eurosh përfitim thyen edhe rekordin e Kledi Kotes, të cilit iu desh të shlyejë 11 vjet burg për vjedhjen e rreth 25 milionë lekëve të reja nëpërmjet skemave mashtruese me pensionet. Edhe organizimi konsiderohet si më i sofistikuar, pasi të gjithë të akuzuarit si krijues të tij janë ekonomistë. Gjykata e Tiranës kishte vendosur më parë masat e arrestit në banesë për drejtoreshën Bami dhe 3 ekonomistët e tjerë, deri në përfundimin e hetimeve të Task-Force të Prokurorisë. Vendimet u ekzekutuan të hënën nga skuadra e antikrimit financiar të policisë së kryeqytetit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›