E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA: “Kombëtarja shqiptare, e aftë të bëjë surpriza”

TIRANë- “Shqipëria, kundërshtarja e Francës në eliminatoret e Euro 2012-s, është një ekip solid në mbrojtje, por transparent në sulm”, është thelbi i një shkrimi të botuar në faqen zyrtare të FIFA-s ‘fifa.com” mbi Kombëtaren shqiptare të futbollit.

“Trajneri kroat, Josip Kuzhe duke dashur të marrë maksimumin e mundshëm nga objektivi i përfaqësueses, duke parë edhe se rezultatet në nivelin evropian dhe botëror kanë qenë shumë modeste, ka aplikuar një lojë shumë mbrojtëse. Të paktën gjashtë lojtarë të formacionit bazë, Cana, Dallku, Curri, Vangjeli, Lila dhe Bulku mbulojnë vetëm mbrojtjen. Katër të parët luajnë në linjën përpara portierit titullar Beqaj, ndërkohë që Lila dhe Bulku janë mesfushorë mbrojtës, por që shohin pak drejt sulmit", thuhet në këtë artikull.

Sipas FIFA-s, problemi më i madh i formacionit shqiptar është sulmi dhe gjallëria ofensive. “Mesfushorët sulmues dhe sulmuesit kanë qenë gjithmonë në problem madhor për formacionin shqiptar. Por dhe vetë lojtarët e përfaqësueses rrallë ia kanë dalë të përshtaten në ekip dhe të ndërtonin një profil sulmues që do të bënte të shpresonin për rezultate më të mira".
Sulmuesit aktualë Skela, Duro dhe Bogdani janë tashmë të moshës nga 32 deri në 34 vjeç dhe luajnë shumë pak ose aspak në klubet e tyre respektive, vetëm pak ditë larg një cikli të ri të kompeticionit, ç'ka nuk premton për një të ardhme ofensive në përfaqësuese.

“Me gjithë eksperiencën e tyre me përfaqësuesen, këta lojtarë në fund të karrierës së ndërkombëtare, e që luajnë pak, përfaqësojnë problemin më të madh në ekip me një organizim jo aq të gjallë në lëvizshmërinë ofensive”, - thuhet në shkrimin e FIFA-s.

"Por, ekipi shqiptar është i aftë, që në ditët e tij të mira, të shkaktojë surpriza. Për të vënë në dukje janë fitoret kundër Rusisë dhe Gjeorgjisë dhe barazimet kundër Zvicrës dhe Irlandës, po kështu pathyeshmëria e shqiptarëve në shtëpi gjatë eliminatoreve të Euro 2004-s. Në shtator të vitit 2007, ekipi Kombëtar mundi 2-1 në Tiranë, Greqinë, kampione e porsa kurorëzuar e Evropës, gjatë eliminatoreve të Botërorit 2006. Shqiptarët morën një barazim 0-0 në Portugali në tetor të vitit 2008, gjithashtu për eliminatoret e Botërorit (2010) dhe një fitore 6-1 në ndeshjen miqësore kundër Qipros, në gusht të vitit 2009", vijon më tej në shkrimin e saj FIFA.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›