METE, Kraja: “Partia Socialiste po sulmon bizneset private”
Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka pranuar akuzat e opozitës se kompanisë së kunatit të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, i është dhënë kontratë koncesionare për ndërtimin e HEC-ve të vogla. Bregu nuk ka pranuar që kunati i saj, Hektor Ajazi, është pronar i kompanisë “MIA Internacional”, por sipas saj, gëzon vetëm 15 për qind të aksioneve të kompanisë, ndërsa bashkëshorti i saj, Namik Ajazi, nuk ka lidhje fare me ndërtimin e HEC-ve. Por, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjetikës, Durim Kraja, u shpreh dje në kundërshtim me deklaratat e opozitës se procedura e ndjekur koncesionare është në respekt të plotë me kuadrin ligjor në fuqi, garanton biznesin dhe në të njëjtën kohë autoritetin publik për suksesin e saj. “Procedura e dhënies me koncesion të këtij projekti koncesionar në hidroenergji ka filluar në muajin korrik të vitit 2008 me VKM, me anë të së cilit është përcaktuar autoritetin kontraktor dhe i ka dhënë bonusin kompanisë, e cila ka përvijuar propozimin, konkretisht kompanisë ‘Albani’ me tri pikë përqindje në total dhe ka vazhduar me procedurë të hapur konkurruese, duke garantuar transparencën dhe konkurrueshmërinë përgjatë këtij viti, duke përfunduar me shpalljen fitues të bashkimit të përkohshëm të gjashtë shoqërive shqiptare dhe miratimin e kontratës koncesionare nga Këshilli i Ministrave në datën 11 qershor 2009”, - u shpreh Kraja, duke shtuar: “Ky bashkim i përkohshëm ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe kriteret e vlerësimit; teknike, ekonomike dhe financiare, të përcaktuara në dokumentet e pjesëmarrjes në garë. Shoqëritë fituese të këtij projekti në garë dhe që kanë lidhur kontratën më pas janë: shoqëria “2 T shpk”, shoqëria “Mix Tecnic shpk”, shoqëria “Junion Distribution Service Albanian shpk”, “Albadi shpk”, “ME-AJ Energy shpk”, “Perxhola shpk”. Kraja akuzoi opozitën se biznesi po sulmohet dhe kjo nuk është e drejtë, pasi nuk vlerësohet raca, gjinia apo krushqia, por vlerat ekonomike për vendin.
Reagim
Baraj: “PS-ja nuk po sulmon biznesin, por korrupsioni e qeverisë ‘Berisha’”
Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, reagoi dje se opozita nuk ka për qëllim të sulmojë biznesin, por korrupsionin e qeverisë. Reagimi i tij vjen menjëherë pas deklaratës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës. “Keqardhje për deklaratën e Ministrisë së Ekonomisë. Opozita nuk po sulmon as biznesin dhe as ndonjë biznesmen, por po denoncon me prova e fakte kthimin e qeverisjes në biznes fitimprurës për një grusht familjarësh të oborrit të pushtetit. Goditja denigruese e biznesit dhe e sipërmarrësve me dhunë verbale në media e presioni mafioz të çdo lloji është art i Sali Berishës e pushtetit të tij, të cilin ne do të vazhdojmë ta denoncojmë përditë me prova e jo me shpifje, si një pushtet të korruptuar që duhet të largohet një orë e më parë”, - u shpreh Baraj.
31 Gusht 2010