E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaçka: “Ministrja Bregu urdhëroi pezullimin e kompanisë “MIA Internacional”



Partia Socialiste ka thelluar akuzat me fakte në dorë ndaj ministres së Integrimit, Majlinda Bregu.
Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, deklaroi dje se ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, urdhëroi pezullimin e kompanisë “MIA Internacional”. Pezullimi me urdhër të ministres është zbatuar nga Qendra Kombëtare e Rregjistrimit,kompania në fjalë,vetëm 50 minuta pas publikimit të akuzave të opozitës ndaj bashkëshortit të saj, Namik Ajazi. Deputetja Xhaçka ka publikuar dje dokumente ligjore që dëshmojnë se kunati i ministres Bregu, Hektor Ajazi, ka marrë kontratë koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, ndërkohë që ai nuk ka dijeni për sektorin e energjetikës. Xhaçka deklaron se në kompaninë “MIA Internacional” të kunatit të ministres, bashkëshorti i saj, Namik Ajazi, është bashkëpronar me 30 për qind të aksioneve të kompanisë. Kështu, Xhaçka ka hedhur poshtë me fakte mashtrimet e ministres së kabinetit qeveritar “Berisha”.
Deklarata
“Sot (dje), pas urdhrit të Majlinda Bregut për të dorëhequr bashkëshortin e saj nga kompania, i njëjti institucion, pra QKR-ja, ka zbatuar pjesërisht urdhrin e ministres. Sipas këtij dokumentit të printuar më datë 17.09.2010, vetë QKR-ja njofton se në datën 30.8.2010, janë depozituar njoftimet e datave 12.10.2009 dhe 12.7.2010 i administratorit të shoqërisë për dorëheqjen nga detyra të administratorit dhe largimin e tij si ortak i shoqërisë. Ndërkohë, në këtë dokument, Namik Ajazi figuron ende si ortak, administrator, me afat emërimi deri më 20.6.2012 dhe kompania me status aktiv. Vetëm 50 minuta më pas, urdhri i ministres zbatohet plotësisht nga QKR-ja”, - deklaroi Xhaçka. Sipas saj, kompania e kunatit të ministres së Integrimit ka si qëllim ndërtimin, shfrytëzimin dhe organizimin e shitjeve të hidrocentraleve të vogla. Xhaçka deklaroi se formularët e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit tregojnë se kunati i zonjës Bregu nuk kishte kurrfarë eksperience apo lidhje biznesi me energjetikën, duke qenë se bizneset e tij të mëparshme ishin një disko dhe një prodhimtari dollapësh. Sipas saj, bashkëshorti i ministres Bregu, që gëzon 30 për qind të aksioneve të kompanisë, është përfaqësues ligjor i saj dhe ka si objekt biznesi "Punimet e ndërtimin e komplekseve që prodhojnë dhe shpërndajnë energji".
Në këto kushte, deputetja Xhaçka ka hedhur dyshime se pas kësaj kompanie fshihet vetë bashkëshorti i ministres Bregu. “Këtu ngrihet dyshimi se kjo kompani mund të jetë krijuar menjëherë pas marrjes së koncesionit nga vëllai i burrit të ministres Bregu, ndoshta për ta ndërtuar atë. Mos vallë kompania e Hektor Ajazit, kunatit të Bregut, është guaska që fsheh burrin e ministres, për llogari të të cilit është marrë koncesioni?” - shprehet Xhaçka.
Ligji
Në këto kushte, deputetja Xhaçka e ka akuzuar ministren Bregu se ajo ka shkelur ligjin “Për deklarimin e pasurisë”, duke mos deklaruar pasurinë e bashkëshortit të saj, Namik Ajazi. “Ministrja Bregu jo vetëm që ka gënjyer, por ka shkelur ligjin e deklarimit të pasurive, ndërsa në deklaratat e saj vjetore nuk janë pasqyruar në asnjë rast as edhe një kuotë aksionesh të burrit të saj. Gjithkush e di se pasuria e bashkëshortëve quhet e përbashkët përpara ligjit e, si e tillë, deklarohet nga të dy. Këtë detyrim ligjor, ministrja e Integrimit nuk e ka përmbushur në asnjë vit. Kjo është një tjetër shkelje flagrante e ligjit ‘Për deklarimin e pasurisë", që mund të interpretohet lehtë si një tentativë për t’i hedhur hi syve opinionit publik mbi pasurinë e vërtetë të ministres së Integrimit”, - u shpreh Xhaçka.

Reagimi

Bregu pranon të vërtetën: “Kompania ‘MIA Internacional’ ka status pezull”

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka pranuar se bashkëshorti i saj, Namik Ajazi, është pjesë e kompanisë “MIA Internacional”, por sqaron se kjo kompani është inaktive, me status pezull në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Reagimi i saj vjen pas publikimit të fakteve të reja dje nga Partia Socialiste. Sipas Bregut, kompania në fjalë nuk ka funksionuar asnjë ditë, as ka kryer transaksione bankare apo nënshkruar kontrata të asnjë lloji. Ajo sqaron se kompania është regjistruar me qëllimin e mirë të një grupi investitorësh italianë për të pastruar mbeturinat nëpër qytete, përfshi edhe Tiranën. “Vetëm tre muaj pas regjistrimit të kompanisë, më 12 tetor të vitit 2009, në pamundësi për të ndjekur këtë aktivitet, bashkëshorti im ka paraqitur letrat e dorëheqjes si pranë studios ligjore ku është bërë regjistrimi, ashtu dhe pranë asamblesë së ortakëve”, - u shpreh Bregu. Sipas ministres Bregu, statusi “pezulluar” i kompanisë mund të vërtetohet lehtësisht në faqen e internetit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

31 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›