FIFA me dhurata të këqija për Shqipërinë
Ndërkohë që të gjithë presim me padurim një rezultat pozitiv nga ndeshja me Suedinë, “dhuratën” me të keqe na e bën FIFA. Edhe pse fitoi miqësoren me Lihtenshtejnin (2-0) në një nga datat e lira të FIFA-s (20 gusht), Shqipëria po shkon poshtë e më poshtë në renditjen botërore të FIFA-s. Në renditjen e re të muajit shtator 2008, të publikuar më 3 shtator, vetëm tri ditë para përballjes me Suedinë ndodhemi në vendin e 102-të, nga vendi 101 që ishim në muajin gusht 2008, duke zbritur një pozicion në renditje e duke pasur 7 pikë më pak se muaji paraardhës: 352. Ky është edhe pozicioni më i ulët që kemi pasur për vitin 2008: më i miri, muaji shkurt, 73, kur renditja më e mirë historike është ajo e gushtit të vitit 2006, me vendin e 62 në botë, por dhe atëherë për shkak të sistemit të ri të llogaritjeve të përdorura nga FIFA. Gjithsesi, pozicioni më i keq i Shqipërisë në botë ka qenë ai gusht të vitit 1997, kur ndodheshim në vendin e 124-t.
Në renditjen europiane nuk kemi lëvizur: jemi sërish në vendin e 42-të nga 53 federata që aderojnë në UEFA. Suedia kundërshtari ynë i parë në eliminatore e ka pësuar më keq: ka humbur 5 vende e ndodhet në vendin e 31-të në botë e të 19-in në Europë.
Vetëm Maltën kemi pas vetes nga pesë kundërshtarët e grupit tonë eliminator në Botërorin 2010. Maltezët, ndaj të cilëve do të ndeshemi, më 10 shtator menjëherë pas Suedisë, renditen në vendin e 133-të në botë e të 47-in në Europë. Nga kundërshtarët e tjerë të eliminatoreve të Botërorit 2010, Portugalia ndodhet në vendin e 9-të në FIFA dhe të 7-in në UEFA (asnjë lëvizje). Edhe Danimarka (36, 23) nuk ka asnjë lëvizje. Hungaria, rivali ynë i madh për vendin e katërt sërish ka mbetur në vend: e 50-a në botë dhe e 28-a në Europë.
4 Shtator 2008