Futbollistët çajnë “shtetrrethimin”, shoping e pabe në kryeqytet
Pas “shtetrrethimit” ndaj medieve gjatë seancës së dytë stërvitore të kryer të martën në mbrëmje në stadiumin “Selman Stërmasi”, çdo gjë ishte e hapur në “Skënder Halili”.
Kombëtarja e Shqipërisë zhvilloi dje paradite ditën e tretë të stërvitjeve, në kuadër të përballjeve me Suedinë e Maltën dy seanca stërvitore, të parën në kompleksin “Skënder Halili” (10:00), ndërkohë që të mërkurën mbasdite nuk pati stërvitje, por liridalje për futbollistët për të shijuar gjithçka të bukur të kryeqytetit, përfshirë takime me të afërt, por dhe shoping e pabe, deri në një orë të përcaktuar për rikthimin në rezidencën kuqezi në hotel “Tirana International”. Trajneri Han e ndihmësi i tij De Jong udhëzuan lojtarët të kryenin një nxehje të lehtë, vrapime, prekje individuale të topit, pasime në trekëndësh me grupe nga tre lojtarë, e më pas pasime të topit duke u lejuar futbollistëve jo më shumë se dy kontakte, duke rritur lëvizshmërinë e precizonin në pasim, çka mesa duket do të jetë edhe strategjia për të lodhur kundërshtarët verdheblu nga Suedia.
Holandezi më pas bëri edhe ndarjen e futbollistëve në dy grupe të mëdha (nga dhjetë lojtarë), duke skicuar kështu edhe formacionin e mundshëm që do të hedhë kundër Suedisë, më 6 shtator. Në grupin e titullarëve ishin të rreshtuar Hidi në portë (parë faktin se ndaj Beqajt sulmonin titullarët), Dallku, Curri, Telin, Beqirin, në mbrojtje, Lala, Duro, Cana e Hyka në mesfushë, ndërsa i vetmi në sulm ishte Edmond Kapllani, i cili mesa duket ka fituar edhe vendin e titullarit. Erion Bogdani e Hamdi Salihi bënin pjesën në ekipin e dytë, së bashku edhe me Arjan Beqajn, Ervin Skelën, Ervin Bulkun, Ansi Agollin, Andi Lilën, Kristi Vangjelin, Besart Berishën e pjesën tjetër. Në pjesën e parë të ndeshjes, u zbatuan detyrat taktike të vëna nga tekniku holandez, ku u pa një tërheqje në mesfushën tonë, për t’i bërë ballë kështu ofensivës virtuale suedeze, por duke aplikuar edhe dalje të shpejta në kundërsulm nga krahët par edhe shpejtësinë e Hykës e veprimet e sakta të Duros. Në pjesën e dytë të minindeshjes, Han vendosi në sulm Bogdanin në vend të Kapllanit, e në të fraksionin e tretë të testit, në vend të sulmuesit të Kievos hyri Hamdi Salihi. Në portë Beqaj i la vendin Hidit, ndërkohë nga ana tjetër ishe Lika. Han provoi edhe goditjet standarde, si nga gjuajtjet e lira të Klodian Duros, ashtu dhe nga ato të këndit, ku ajo që u vu re ishte se të gjithë lojtarët shtatlartë si Cana, Dallku e Curri, u vendosën brenda zonës së vogël të kundërshtarit. Në fund të stërvitjes trajneri Han dha dhe një konferencë shtypi për mediat, ku pohoi ndër të tjera se 90% të formacionit kundër Suedisë e kishte gati në kokë, si dhe dha vlerësime ndaj kundërshtarit.
4 Shtator 2008