FIFA pezullon kombëtaren e Perusë

Lajmi është bërë publik nga Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut. Vetëm një javë më parë presidenti i FIFA-s, Josef Blater kishte paralajmëruar qeverinë peruane që të mos ndërhynte në cështjet e federatës së futbollit, por ky paralajmërim duket se nuk u mor shumë seriozisht dhe FIFA vendosi të pezullojë përfaqësuesen e futbollit të këtij shteti nga aktivitetet ndërkombëtare.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Perusë, Manuel Burga ka bërë të ditur se problemi kryesorë që ata kanë me qeverinë është se statuti që ata kanë si federatë nuk përputhet me ligjet e shtetit.
Pas këtij pezullimi, Perusë i është hequr gjithashtu e drejta e zhvillimit të kampionatit të Amerikës së Jugut U20. Për më shumë përfaqësuesja e këtij vendi mund të rrezikojë edhe eliminatoret e kampionatit botëror 2010 dhe Kupën Libertadores.
Peruja nuk ka mundur të kualifikohet për kampionatin botëror që nga viti 1982 dhe aktualisht ndodhet në vendin e fundit në grup me 7 pikë pas 10 ndeshjesh.