Topi kunder planit 6-pikesh te Ban Ki Moon

Në takimin me Presidenti turk Abdullah Gyl, presidenti Topi vlerësoi se paraqitja e planeve për ndarje mbi baza etnike dhe angazhimi për ndërtimin e një shteti paralel, që cënon tërësinë territoriale të shtetit të pavarur të Kosovës, përbën një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin tonë.
Sipas Presidentit shqiptar, Shqipëria mbështet vendosjen e EULEX-it në Kosovë dhe çdo proces tjetër atje, që bëhet duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e miratuara në zbatim të Planit Ahtisari.
Duke përshëndetur zgjedhjen e Turqisë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, presidenti Topi shprehu bindjen se Ankaraja, e cila ka vendosur tashmë marrëdhënie diplomatike me Prishtinën, do të lobojë për një njohje të mëtejshme të pavarësisë së Kosovës.
Në këto momente të dy Presidentët sapo kanë përfunduar konferencën e përbashkët për shtyp dhe pritet që, sipas axhendës, Presidenti Topi të takohet me Kryeministrin Taip Rexhep Erdogan dhe me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Koksall Toptan. Presidenti do të asistojë më pas në seancën plenare të Asamblesë turke në votimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.