E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi niset nesër në SHBA për të marrë pjesë në debatin e përgjithshëm të sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

21 shtator 2008

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi niset nesër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në krye të një delegacioni zyrtar, për të marrë pjesë në debatin e përgjithshëm të sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në seancën e posaçme të debatit të përgjithshëm, Kryetari i Shtetit do t’ju drejtohet të pranishmëve në këtë veprimtari me një fjalë, në të cilën do të përshkruhen arritjet dhe sukseset e Shqipërisë në rrugëtimin e saj euro-atlantik, vizioni dhe bashkëpunimi i saj me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, kontributi i vendit tonë në luftën globale kundër terrorizmit dhe sfidat kryesore me të cilat përballet sot njerëzimi, si dhe qëndrimi tashmë i njohur mbi shtetin më të ri ballkanik të Kosovës dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit rajonal e më gjerë.

Në kuadër të punimeve të sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Topi do të zhvillojë një sërë takimesh pune me homologë të tij, si dhe autoritete të larta drejtuese të shteteve pjesëmarrëse. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Presidenti i Republikës do të jetë i pranishëm në takimin e organizuar nga Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush dhe Presidenti i Irakut, Jalal Talabani me vendet që kanë kontribuar në Irak. Gjithashtu, Kryetari i Shtetit është i ftuar në Forumin “Iniciativa Globale Klinton”, si dhe do të marrë pjesë në takimin e sfidave të përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit.

Pjesë e axhendës së vizitës së Presidentit të Republikës në SHBA është edhe një vizitë në qytetin e Bostonit, ku Presidenti Topi do të takojë bashkësinë shqiptaro-amerikane të Bostonit, si dhe do të jetë i pranishëm në veprimtaritë e 100-vjetorit të themelimit të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare në Amerikë dhe kontributit të rëndësishëm historik të Fan S. Nolit në krijimin dhe ruajtjen e autoqefalisë së saj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›