E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË SAMITIN E 15-TË EKONOMIK EUROAZIATIK

12 prill 2012
Izmir

Të nderuar Shkëlqesi Presidentë,
I nderuar Dr. Akan Suver,
Të nderuar zotërinj qeveritarë, parlamentarë,
dhe shkëlqesi ambasadorë,
Zonja dhe Zotërinj,

Më së pari do të dëshiroja t’i shpreh me gjithë zemër mirënjohje “Fondacionit Marmara”, veçanërisht, Dr. Akan Suver, që për disa vite me radhë kam nderin të marr pjesë në një ngjarje me rëndësi të veçantë si Forumi i 15 – të Ekonomik Euroaziatik!

Bota globalizohet përditë e më shumë dhe ky Samit dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e bashkëpunimit, veçanërisht, bashkëpunimit ekonomik për të nxitur, për të mbështetur dhe për të ideuar zgjidhje për çështje me rëndësi jetike për mbarë njerëzit në botë, siç janë çrrënjosja e urisë, zvogëlimi varfërisë dhe ulja e papunësisë.

Të gjithë jemi dëshmitarë se viktima të pafajshme të krizës financiare dhe ekonomike globale ranë njerëzit me të ardhura të pakta ose pa të ardhura. Kostot e rritura të ushqimit bënë të mundur që 44 milion njerëz të shkojnë shumë më poshtë kufirit të varfërisë ekstreme, që do të thotë mbijetesën e tyre me ekuivalentin e 1.25 US$/ditë.

Njerëzit që vuajnë nga uria dhe të kequshqyerit na japin një mesazh të thjeshtë, të cilit ne duhet t’i përgjigjemi jo vetëm duke folur drejt dhe mirë, por gjithashtu duke vepruar shpejt, drejt dhe në kohën e duhur në qoftë se nuk duam që të thellohet hendeku midis asaj që thuhet dhe asaj që bëhet.

Me përpjekjet tona ne duhet t’i nxisim vendim– marrësit për shtimin e investimit publik dhe privat në bujqësi, si dhe në infrastrukturën rurale, që të zhvillohet më shpejt dhe më tej prodhimi bujqësor, në krahasim me atë që kemi arritur deri tani; që të rritet më tej aftësia e saj produktive, si dhe të rriten të ardhurat e fermerëve në të njëjtat nivele me ato të punëtorëve të sektorëve dytësor dhe terciar të ekonomisë.

Çmimet e miellit janë rritur 120 për qind; çmimet e orizit janë rritur 75 për qind; familjet e varfra shpenzojnë deri në 80 për qind të të ardhurave të buxhetit të tyre; çmimet e ushqimit në botë në dhjetor 2010, kërcyen mbi nivelet e vitit 2008 duke krijuar një situatë “alarmuese”.

Çmimet e misrit në SHBA u rritën 52 për qind vitin e fundit; çmimet e miellit në Evropë u dyfishuan; çmimet e sojës në SHBA u rritën me 30 për qind; vala e të nxehtit në Rusi në vitin 2010 bëri që Rusia dhe Ukraina të ndalojnë eksportin e grurit. Përmbytjet në Australi, konditat e thatësirës në Argjentinë dhe koha e ftohtë në hemisferën veriore tregojnë se çmimet e ushqimit nuk do të bien shpejt.

Njerëzit e varfër janë të nervozuar nga rritja dramatike e çmimit të mallrave bazë ushqimore dhe dihet se ndikimi i tyre mund të vështirësojë kushtet delikate politike dhe shoqërore; një bushel me grurë në korrik 2010 ishte me çmimin 195.82 US$, ndërsa në Janar 2011 ishte 326.54 US$ dhe diferenca prej 130.720 US$ (ose 66.76 për qind) u ka shkaktuar dhe po u shkakton dhimbje dhe vuajtje njerëzve të varfër në botë.

Uria dhe varfëria kanë edhe një shoqërues tjetër binjak: papunësinë, e cila sipas llogaritjeve të fundit në nivel botëror nga 5 për qind që ishte në dhjetor 2007 në shkurt 2012 ka arritur 8.3 për qind, ose nga 178 milion në 212 milion të papunë, ndërsa në vendet e rajonit të Evropës Qendrore dhe Juglindore ajo kap shifrën mesatare prej 10 për qind.

Ekonomia e Shqipërisë është përmirësuar në mënyrë të dukshme gjatë dekadës së fundit; reformat në zhvillimin e infrastrukturës, mbledhja e të ardhurave tatimore dhe administrimi i biznesit kanë bërë progres. Përveç efekteve të krizës financiare globale, ekonomia e Shqipërisë ka performuar më mirë se sa vendet e tjera në rajon duke pasur një rritje ekonomike mesatare vjetore prej rreth 5.5 për qind deri në vitin 2009.

Megjithatë, Shqipëria radhitet si një prej vendeve me të ardhura modeste në Evropë në lidhje me treguesit madhor të të ardhurave, që ndihmohen nga të ardhurat e remitancave nga puna e madhe e shqiptarëve jashtë. Remitancat deri tani kanë qenë një katalizator domethënës për rritjen ekonomike në Shqipëri, ku përqindja e papunësisë është luhatur në kufirin 13 për qind.

Duke vlerësuar lart rolin, rëndësinë dhe ndikimin e Samitit të 15 – të Ekonomik Euroaziatik, në emër të popullit shqiptar, me emocion të veçantë, bashkoj zërin me të gjithë ata që janë përpjekur, po përpiqen dhe do të përpiqen për t’u siguruar të drejtën e të ushqyerit dhe ushqimit, zvogëlimin e varfërisë dhe të papunësisë në rajonin euroaziatik dhe mbarë botën.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se nuk mund të kënaqemi me atë që kemi bërë në të kaluarën ose me atë që kemi arritur deri tani. Ne duhet të përpiqemi më shumë që ta ndryshojmë të ardhmen e njerëzve që vuajnë nga uria dhe të kequshqyerit, nga varfëria dhe papunësia sepse ndryshimi është ligj i jetës që kërkon ndryshimin e veprimeve tona për të ardhmen e afërt dhe më tej.

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›