E Diel, 1 Nëntor 2026

Prononcim i Kryeministrit Berisha në Bruksel, pas punimeve të Konferencës; “Ballkani Drejt Integrimit Evropian”, organizuar nga Grupi i PPE-ve në Parlamentin Evropian

Pas punimeve të Konferencës; “Ballkani Drejt Integrimit Evropian”, organizuar nga Grupi i PPE-ve në Parlamentin Evropian, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të mediave shqiptare që ndoqën punimet e kësaj konference, në Bruksel.    

Pyetje: Zoti Kryeministër, cili ishte mesazhi i Konferencës dhe çfarë përkrahjeje morët nga përfaqësuesit e PPE-ve?

Kryeministri Berisha: Siç e patë, ishte një konferencë e shkëlqyer, ku miqtë e Partive Popullore e organizuan atë tërësisht në mbështetje të proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të vlerësimit të progresit dhe të detyrimeve që janë për t’u përmbushur. Por ajo që ishte e rëndësishme dhe që u theksua këtu, ishte fakti se fryma e Selanikut është e gjallë, premtimi i Selanikut është për t’u mbajtur dhe do të mbahet.

Mendoj se ishte një konferencë shumë e mirë. Kjo është konferenca e dytë që PPE-të organizojnë për Ballkanin Perëndimor. Ishte një rast për mua që të ekspozoja zhvillimet në Shqipëri, por edhe të ftoja miqtë e mi në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, që përbën dhe ngjarjen më madhore  këtë vit për Ballkanin.

 Pyetje: A jeni i bindur se këtë vit Shqipëria do ta marrë statusin e kandidatit?

Kryeministri Berisha: Bindja ime është se qeveria do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e saj. Deri tani,  unë mund të them se opozita po përmbush detyrimet e veta. Ky është vlerësimi im. Qeveria po punon intensivisht për të përmbushur detyrimet dhe po i përmbush ato. Natyrisht, ky është një proces që po përsoset në mënyrë të vazhdueshme, por qeveria po punon me seriozitetin më të madh në të gjitha fushat, në mënyrë që të përmbushë standardet e kërkuara.

Pyetje: Ju folët edhe për korrupsionin në këtë panel, por korrupsioni mbetet shqetësim serioz gjatë gjithë kohës në Shqipëri. Si e vlerësoni faktin që, gjatë dy mandateve tuaja, nuk ka pasur asnjë ministër a zv/ ministër të akuzuar apo të dënuar për korrupsion?.

Kryeministri Berisha: E rëndësishme është që kjo është qeverisja e parë që hiqen imunitetet. Nuk gjen dot një vend tjetër në të cilin, siç ndodhi te ne vetëm dy ditë më parë, të jenë vendosur para ligjit 7-8 zyrtarë së bashku,. Kjo është qeverisja e parë në të cilën ka një proces reformash serioze për luftën kundër korrupsionit dhe ka një politikë penale të qëndrueshme për luftën kundër tij.

Lidhur me pyetjen tuaj mund të them dy gjëra; drejtësia shqiptare, pavarësisht nga vakumet që ka, në rast se i referohemi 2 momenteve, ato flasin më shumë se të gjitha akuzat e tjera. Së pari, në vitin 2005, popullata e burgjeve në Shqipëri ishte tërësisht 1800 persona, sot është rreth 5 mijë. Mos harroni se janë këta gjykatës që japin çdo ditë drejtësi. Së dyti, 60 për qind e proceseve në të cilat qeveria paditet, fitohen nga pala tjetër. Në qoftë se 60 për qind e këtyre vendimeve jepen jo në favor të qeverisë, kjo do të thotë se kjo drejtësi funksionon në mënyrë të pavarur. Por lidhur me faktin se a duhet të kemi apo jo “koka turku”, unë mund të them se ne duhet të kemi shtet ligjor të fortë”.   


11/04/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›