E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË TAKIMIN E TETË TË SAMITIT TË KRYETARËVE TË SHTETEVE TË EJL MBI KORRIDORET KULTURORE “Muzika si metaforë e dialogut kulturor”.

23 qershor 2010
Stamboll, Turqi

I nderuar President Gyl,
E nderuara Zonja Drejtore e Përgjithshme e UNESCO-s,
Të nderuar kolegë Presidentë,

Kur mora në dorë ftesën për të ardhur në këtë Samit të korridoreve kulturore me temën e spikatur “Muzika si metaforë e dialogut kulturor” që mbahet këtu në Stamboll, qytetin simbol të pranisë së civilizimeve të hershme, i pohova vetes, se, korridori ynë muzikor është një ndër korridoret historike të komunikimit që ka mbetur i pakushtëzuar mes nesh. Ai asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk ka qenë i mbyllur.

Dëshiroj të shpreh falenderimet e mia për mikëpritjen dhe organizimin e përsosur të këtij takimi të rëndësishëm me bindjen se mesazhi i tij do të kthehet në lajtmotiv të vendeve dhe popujve tanë për të rritur dialogun kulturor mes tyre jo vetëm në formë, por edhe kohë.

Ky korridor shpirtëror: në pamje të parë i padukshëm, por i mrekullueshëm, shumëngjyrësh, shumëformësh, shumëzërësh dhe i larmishëm, i krijuar nga popujt tanë prej mijëra vitesh, i mbajtur gjallë prej gjuhës së kënduar, valleve dhe veglave muzikore, gjithmonë ka ekzistuar dhe na ka mbajtur të lidhur edhe në kohët më të vështira, kohë kur arsyeja mungonte dhe vendin e saj e kishte zënë gabimisht forca.

Duke parë përtej larmisë së gjuhëve, ngjyrave të kostumeve, ritmit të valleve dhe llojeve të ndryshme të veglave muzikore, në të gjitha vendet tona, pjesëz e botës së madhe, popujt derdhën në muzikën e tyre popullore, në këtë trashëgimi të spikatur kulturore, një lëndë shpirtërore të pazëvendësueshme për vazhdimin e jetës njerëzore, e për më tepër, një“ushqim artistik” të prodhuar nga njerëzit për njerëzit, përmes gjuhës mbarë botërore të tingujve muzikorë.

Në vendin tim, në Shqipëri, ka një shprehje të urtë popullore që thotë:“Kënga dhe përralla s`kanë zot”. Besoj se kuptimi i saj i vërtetë gjendet në mënyrën se si një krijim muzikor popullor krijohet, pra, përmes një procesi artistik të gjatë e të vështirë, i cili përfshin qindra e mijra njerëz, përgjatë një limiti kohor që shtrihet në dhjetëra e qindra vjet.

Ky proces sa human e njëkohësisht po aq artistik, i pandikuar nga klima dhe sistemet politike, fsheh në thelb krijimin e gjuhës muzikore si mjet komunikimi dhe si kulturë e paqes, pasi vetë muzika dhe këngët popullore në mënyrë të veçantë, shndërrohen dalëngadalë, përmes “gjuhës” së tingujve, edhe në simbole kulturore të çmuara për identitetin e popujve dhe vendeve tona.

Përmes larmisë së kësaj tradite muzikore, popujt tanë kanë ushqyer dhe ushqejnë diversitetin kulturor si thelb i jetës dhe i humanizmit, kanë ngritur korridoret e komunikimit dhe marrëdhënieve miqësore mes komuniteteve të ndryshme si dhe kanë dialoguar kulturalisht, me popujt e tjerë fqinjë, por edhe më gjerë.

Provë e qartë e kësaj kurore vlerash të krijuar nga popujt tanë, është edhe fakti, se rajoni ynë ka të njohur tashmë botërisht përmes UNESCO-s, një listë dinjitoze të “Kryeveprave të trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të njerëzimit”.

Janë këto kryevepra muzikore artistike popullore si “Isopolifonia popullore shqiptare”; dhe të tjera të popujve dhe kombeve tona, të cilat janë shndëruar realisht në stacione të korridorit tonë kulturor ndër-rajonal të komunikimit, tashmë përmes muzikës sonë si trashëgimi shpirtërore e përbashkët. Këto kryevepra muzikore, qëndrojnë aty fare thjesht, pa emra konkretë autorësh të përveçëm që i kanë krijuar, por ato janë aty si dëshmi artistike që vijnë me emrat e vendeve tona, dhe si të tilla janë në gjendje të provojnë se humanizmi ynë artistik është i aftë të krijojë kryevepra të vlefshme për të gjithë njerëzimin.

Ky mozaik i jashtëzakonshëm i vlerave kulturore nuk cënohet dhe as deformohet, përkundrazi pasurohet dhe zbukurohet, kur i çliron popujt tanë nga paragjykimet dhe ambicjet politike e aq më tëpër nga qëllimet për të penguar proceset universale të zhvillimit dhe të integrimit drejt lirisë së shpirtit dhe të vlerave. Kështu e konsideroj, të dashur kolegë, procesin e pandalshëm të pavarësimit dhe konsolidimit të Republikës së Kosovës, kontributi i pamohueshëm i trashëgimisë së lashtë shpirtërore, kulturore dhe muzikore i së cilës, po shumëdimensionohet me vlerën e patjetërsueshme dhe kaq të domosdoshme të bashkëjetesës etnike.

Republika e Kosovës përbën një shembull për ne dhe për brezat që do të vijnë se si nuk duhet të mbetemi peng i së kaluarës politike, por të bëhemi pjesë e të ardhmes së përbashkët nëpërmjet mbështetjes së shpirtit të tolerancës dhe lëvrimit të trashëgimisë që i bashkon popujt tanë drejt fatit të tyre të paevitueshëm.

Prandaj, të nderuar Presidentë, në pentagramin muzikor të rajonit tone nota e Kosovës është sa e kërkuar aq edhe e nevojshme për veshët dhe mendjet jo vetëm të popujve tanë, por edhe të institucioneve drejt të cilave ne kemi vendosur të shkojmë duke i pasuruar ato me vlerat dhe trashëgiminë tonë për të cilën duhet të jemi të gjithë krenarë.

Së fundi, unë personalisht besoj më shumë në forcën e shpirtit njerëzor, sesa në forcën fizike të trupit. Për më tepër, forca e shpirtit e shprehur përmes muzikës, është një nga pasuritë e arta që popujt tanë kanë krijuar në qindra vjet dhe që sot, gjej rastin e artë që t’i ftoj të gjithë të tjerët për ta përshkruar e njohur korridorin tonë shpirtëror të komunikimit, i cili nuk është gjë tjetër përveçse: trashëgimia jonë shpirtërore e përbashkët, në funksion të paqes, demokracisë, bashkëpunimit dhe tolerancës!

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›