Zhvillohet mbledhja e radhës e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në të cilën e vuri theksin tek reformat, si leva kryesore e lëvizjes përpara dhe ndryshimit të vendit. Kryeministri u ndal tek ligji për gjykatën administrative, duke i bërë thirrje opozitës të trajtojë me seriozitetin më të madh, problemin e votimit të këtij ligji. “Ftoj opozitën që të formulojë amendamentet që do, për të zgjedhur dhe procedurat më transparente të krijimit të kësaj gjykate, si dëshmi e vullnetit të saj për të ndërprerë abuzivitetin e qeveritarëve të saj, të administratës së qeveritarëve të saj por natyrisht edhe të qeverisë qendrore”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri u shpreh se në këtë reformë shumë të rëndësishme që deputetet e të gjithë spektrit votojnë për të kufizuar arbitraritetin qeveritar, qoftë ai qendror apo lokal mbi bizneset shqiptare dhe se ky është një detyrim ligjor dhe moral shumë i madh, si i qeverisë ashtu dhe i opozitës, si i qeverisë qendrore ashtu edhe asaj vendore, pasi gjeneratorët e zhvillimit dhe të punësimit, të pasurimit dhe prosperitet janë bizneset.
Më pas, kryeministri Berisha u ndal në ligjin e policisë gjyqësore, i cili vjen në kuadrin e reformës së sistemit të drejtësisë. Kryeministri u shpreh se ligji ka një rëndësi të madhe në kuadrin e zbatimit më të mirë të ligjit të konfiskimit të pasurive të krimit të organizuar apo të ligjit antimafia. “Ligji që ju keni votuar i bën një nder të madh Shqipërisë dhe shqiptarëve, është një dëshmi e shkëlqyer e vullnetit tuaj të hekurt për të goditur dhe shkatërruar krimin e organizuar në këtë vend. është një ligj që po shfrytëzon, po merret shembull pozitiv edhe nga vende të tjera.”, tha kryeministri.
Gjatë kësaj mbledhje, Kryeministri u shpreh se së shpejti do të finalizohet reforma e inspektoriateve. Duke e vlerësuar si një nga reformat më themelore, kryeministri bëri të ditur se ajo do të organizohet në një mënyrë tërësisht tjetër. “Nga 36 inspektoriate, Shqipëria do të ketë 11 ose 12 të tilla me nje sistem të plotë transparent, bazuar gjithçka në procedura dixhitale.” u shpreh Kryeministri.
Në fjalën drejtuar deputetëve, Kryeministri Berisha tha:
“Në këtë takim me ju, sërish kryefjalë e jona janë reformat, të cilat duhet dhe janë “perpetua mobile” e lëvizjes përpara dhe ndryshimit të këtij vendi. Reformat kanë një përballje shumë anësore dhe multidimensionale.
Do të ndalem sot edhe një herë tek ligji për gjykatën administrative. Shfrytëzoj rastin ti bëj thirrje opozitës të trajtojë me seriozitetin më të madh problemin e votimit të këtij ligji.
Së pari, dua të informoj qytetarët shqiptarë se, aktualisht 70 % e bizneseve në Shqipëri janë tërësisht, në raport me sistemin tatimor, në varësi totale të opozitës shqiptare. I gjithë biznesi i vogël, i cili përbën 90 % të biznesit shqiptar në raport me taksat, tatimet administrohen tërësisht nga qeveritë vendore.
Qeveria qendrore ka nga këto biznese, kontributin e sigurimeve shoqërore. Të gjitha taksat e tjera i ka në kontroll dhe në administrim pushteti vendor. Në qoftë se opozita nuk është e interesuar për arbitraritetin e pushtetarëve të saj, ndaj biznesit, opozita e voton ligjin e gjykatës administrative. Në qoftë se opozita dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste është e interesuar për një qeverisje të mirë vendore të qeveritarëve të saj, ajo e voton pa humbur kohë ligjin, sepse 70 % e subjekteve private janë totalisht në varësi të pushtetit të saj.
Ne u ofrojmë si kompromis, atë që, le të sjellin amendimet që duan për ligjin, me një kusht të vetëm, të respektojnë për këtë gjykatë, nenin që bashkërisht votuam për sistemin tërësor gjyqësor, nen sipas të cilit nuk mund të futen më, në sistemin e drejtësisë flukse nga politika apo të tjerë, përveçse nga magjistratura. Unë mendoj se kjo është oferta më e sinqertë dhe në rast se pushteti nuk është i interesuar që ish pushtetarë të tij apo pushtetarë të tij të vendosen në krye të sistemit gjyqësor administrative etj, atëherë përse do të jetë e interesuar opozita?
Ndaj dhe unë e ftoj opozitën që të formulojë amendamentet që do, për të zgjedhur dhe procedurat më transparente të krijimit të kësaj gjykate, si dëshmi e vullnetit të saj, për të ndërprerë abuzivitetin e qeveritarëve të saj, të administratës së qeveritarëve të saj, por natyrisht edhe të qeverisë qendrore sepse unë nuk them se qeveria nuk lidhje me biznesin, sepse i tërë biznesi i mesëm dhe i madh administrohet nga autoritetet qendrore tatimore dhe jo lokale. Unë mendoj se në këtë reformë shumë të rëndësishme deputetet e të gjithë spektrit votojnë për të kufizuar arbitraritetin qeveritar, qoftë ai qendror apo lokal mbi bizneset shqiptare dhe se ky është një detyrim ligjor dhe moral shumë i madh, si i qeverisë ashtu dhe i opozitës, si i qeverisë qendrore ashtu edhe asaj vendore, pasi gjeneratorët e zhvillimit dhe të punësimit, të pasurimit dhe prosperitet janë bizneset.
Në Shqipëri, dua të njoh qytetarët se 99 % e bizneseve janë të mesme dhe të vogla dhe së paku 80 % e tyre janë të vogla. Ligji për gjykatën administrative ka një histori, ky ligj në një shqyrtim të mëparshëm ka marrë votat e të gjithë anëtarëve të komisionit, 1 vit e gjysmë më parë, por sërish ne mbetemi të hapur, cilatdo të jenë amendimet që opozita kërkon të sjellë, për të përmirësuar standardet e tij, përveç kushtit që nuk duhet të shkelmojë më mbi të .
Nuk duhet të pranojmë as ne, as opozita se persona, të cilat kanë lakmuar dhe ushtruar karrierë politike, për shkak të mosbesimit që ngjallin tek një palë apo një tjetër, të rikthehen në sistemin gjyqësor. E kundërta mund të ndodhë, gjykatësit, prokurorët mund të marrin funksione në politike dhe të tjera, por me kusht që ti thonë mirupafshim profesionit të tyre të nderuar dhe kjo është normale.
Një ligj tjetër shumë i rëndësishëm, po në kuadrin e reformës së sistemit të drejtësisë vjen këto ditë tek ju dhe ky është ligji i policisë gjyqësore, i cili ka një rëndësi të madhe, në kuadrin e zbatimit më të mirë, të ligjit të konfiskimit të pasurive të krimit të organizuar apo të ligjit antimafia. Ligji që ju keni votuar i bën një nder të madh Shqipërisë dhe shqiptarëve, është një dëshmi e shkëlqyer e vullnetit tuaj të hekurt për të goditur dhe shkatërruar krimin e organizuar në këtë vend. është një ligj që po shfrytëzon, po merret shembull pozitiv edhe nga vende të tjera. është një ligj, duhet ta pohojmë, jo i lehtë për tu zbatuar dhe e gjithë prova është zbatimi i tij, prova e madhe e institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri është zbatimi i këtij ligji. Ndaj dhe në këtë kontekst, ligji për policinë gjyqësore, në një bashkëpunim intensiv të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së përgjithshme ,por edhe organizmave ndërkombëtare është sjelle tek ju, në formën më të mirë, të mundshme, në përputhje të plotë me kushtetutën e vendit e cila hetimin dhe udhëheqjen e tij, ia atribuon Prokurorisë në sistemin që ne kemi të miratuar.
Edhe me këtë ligj, unë gjykoj që shënohet një hap i madh përpara , në drejtim të zbatimit me seriozitetin më të madh të ligjit të konfiskimit të pasurisë së krimit të organizuar. Agjencitë e tjera po shqyrtojnë ligjet e tyre. Në këtë kontekst, po e shqyrton ligjin e saj Agjencia e luftës kundër pastrimit të parave, duke marrë modelet e atyre vendeve që kanë një ligj të ngjashëm me ne apo si tonin dhe që janë të pakta, për konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar. Po hartohen dhe finalizohet e gjithë baza ligjore dhe aktet ligjore të Agjencisë së trajtimit të pronave të konfiskuara, të krimit të organizuar.
Pra po thellohet reforma në fushën e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit. Kam shpresë se opozita do të shqyrtojë qëndrimin, sikundër thirrja ime është që të lemë inatet mënjanë dhe të heqim imunitetet.
Sot kemi një ekspertizë të shkëlqyer nga Komisioni i Venecias mbi mekanizmin e heqjes së imunitetit. Ejani ta zbatojmë atë. çdo ditë do të jetë më e vështirë, për opozitën të justifikojë mbajtjen e imunitetit për qeveritarët dhe pushtetarët. Opozita është opozitë dhe e tillë është opozita shqiptare. Ajo s’mund të bëhet kurrë kërrabë e pushtetit. Në bindjen time më të thellë, ajo duhet të promovojë dhe të insistojë për heqjen e imuniteteve. Ky është interesi i saj më i madh sot. Ky është interesi i saj permanent në çdo lloj rrethane.
Zotërinj deputetë,
Kjo periudhë duhet të jetë periudhë reformash intensive dhe të mëdha. Ne do të finalizojmë së shpejti reformën e inspektoriateve. është absolutisht një nga reformat më themelore, e cila do të organizohet në një mënyrë tërësisht tjetër. Nga 36 inspektoriate, Shqipëria do të ketë 11 ose 12 të tilla me nje system të plotë transparent, bazuar gjithçka në procedura dixhitale. Inspektoriati në Shqipëri krijon një ndihmë të madhe për bizneset. Ka arbitraritete dhe mungese eficence. Kjo është një reformë themelore për ekonominë dhe shërbimet dhe në tërësi për tregun. Kjo reformë është mbështetur nga ekspertët më të mirë të Evropës, të cilët prej mbi një vit e gjysmë asistojnë pa ndërprerje qeverinë shqiptare dhe së shpejti ligji i ri për inspektoriatet vjen në parlament. Një transformim tërësor pëson sistemi i investimeve të huaja në Shqipëri. Krijohet një agjenci me një bord të ri, e cila synon të funksionojë si ONE Stop Shop, pra synon të lehtësojë investimet dhe investitorët e huaj, në Shqipëri, por edhe vendas. Ky bord do të përbëhet tashmë jo vetëm nga gjyqtarë, qeveritarë, por edhe nga përfaqësues të biznesit. Si model është marrë modeli më i suksesshëm i Irlandës. Irlanda ka patur disa modele. Për Shqipërinë është përzgjedhur ai, që pati suksesin më të madh. Edhe ky ligj shpresojmë të marrë votëbesimin tuaj para mbylljes së këtij sesioni dhe ky do të ishte një mesazh i shkëlqyer dhe shumë i mirëpritur për biznesin kombëtar dhe ndërkombëtar, i cili po dëshmon një besim të madh në Shqipëri.
Në mënyrë të përgjithshme takoj investitorë nga vende të tjera, të cilët janë shumë të vendosur të investojnë në Shqipëri, për faktin se Shqipëria, ekonomia e saj dëshmoi qëndrueshmëri të shkallës më të lartë, gjatë krizës ekonomike evropiane dhe botërore. Për fat ishte qeveria e saj që ka dëshmuar dhe po dëshmon vendosmërinë më të madhe për një klimë miqësore ndaj biznesit.
Zotërinj deputetë,
Raporti i Drejtorisë së përgjithshme të Ekonomisë dhe Financave të Komisionit Evropian ishte vlerësimi më objektiv që i bëhej rezultatit të reformave ekonomike të ndërmarra në Shqipëri.
Të gjithë ata të cilët u përpoqën të errësojnë e të gjymtojnë të vërtetat e reformave në Shqipëri për qëllimet e tyre personale kanë marrë një përgjigje përfundimtare. Ata që mbollën vrer dhe zi nëpërmjet mediave që kontrollojnë apo mediave të tyre për të vërtetën e ekonomisë shqiptare dhe reformave të saj morën përgjigje përfundimtare.
Rritja ekonomike në Shqipëri thotë raporti, pati si shtyllë kryesore investimet. Investimet e mëdha publike, investimet në tërësi, investime të cilat ishin dy herë më të mëdha se në vendin e dytë për investime me të larta dhe kjo dëshmon për funksionimin e reformave të ndërmarra të cilat kanë patur, kanë dhe do të kenë vetëm një qëllim kryesor, zgjerimin e lirive ekonomike. Askush nuk duhet të trembet nga liria e ushtruar si një dhunti vetëdisiplinimi. Absolutisht ajo është shkopi magjik për të gjitha projektet, rezultatet, qëllimet, idealet.
Ju falënderoj të nderuar gazetarë për vëmendjen që më kushtuat dhe uroj që sonte të fitojnë ato skuadra që ju dëshironi, ose ju ftoj të ndiqni shembullin tim që deri tani shoh vetëm përmbledhjen e golave dhe asgjë tjetër.”
21/06/2010