E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË TAKIMIN ME PROFESORATIN.

12 shtator 2007

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar profesorë,
Të nderuar përfaqësues të politikës me përvojë akademike,

Unë edhe një herë shpreh kënaqësinë time që jam këtu përpara jush dhe midis jush. Kërkova që të bëjmë një bashkëbisedim me komunitetin e profesorëve, jo sepse sot unë do të them një gjë të re, për hir të angazhimit të vazhdueshëm, të përditshëm dhe për shkak të asaj eksperience që ju keni prej shumë vitesh. Me kënaqësi shikoj që këtu ka figura të spikatura të të gjitha fushave; pra nuk do të them ndonjë gjë të re, sepse ju jeni fare mirë të azhornuar, keni qenë bashkëudhëtarë edhe të reformave në sistemin akademik. Gjithsesi e ndjeva si një detyrim për të pasur një takim me elitën intelektuale, me elitën akademike jo për të rikthyer ditët kur unë bëja pjesë në këtë sistem, por nisur nga përvoja sot më shumë se kurrë e shoh të nevojshme, madje do të thoja të domosdoshme për një njeri që është në pozicionin më të lartë të shtetit për të pasur hapur mendimin e kualifikuar akademik, do të doja një mendim qytetar të lirë të pavarur, pasi gjatë gjithë këtyre viteve kam kuptuar dhe sot kuptoj më shumë se kurrë se njerëzit e universiteteve, profesorët, akademikët realisht duhet të jenë të lirë, duhet të jenë të pavarur nga çdo lloj pushteti politik, pasi vetëm në këtë mënyrë ata mund të jenë të lirë të shfaqin oponencën e tyre karshi çdo lloj ideologjie, karshi çdo lloj dogme, pra të bëjnë jetën e tyre të pavarur; natyrisht një pavarësi edhe kjo e kondicionuar, jo në sens absolutist.

Partitë politike, ç’është e vërteta i kanë ekspertët e tyre, mund të bëjnë programet e partive të tyre. Natyrisht me demokracinë tonë, besoj dhe me eksperiencën e demokracive më të zhvilluara më të avancuara ka edhe një lloj kombinacioni, por unë jam i bindur që njerëzit që merren pozicionet e tyre me profesoriat, me universitet kanë një botë shumë të gjerë, kanë një botë, e cila i lejon ata që të jenë në radhë të parë në shërbim të shoqërisë, në shërbim të ekonomisë, në shërbim të evoluimit të teknologjisë, në shërbim të prosperitetit të një vendi.

Ideja sot mund të ishte edhe për një debat. Por për të qenë realist dhe mjaft i sinqertë, meqënëse jemi edhe në prag të zgjedhjeve të reja në universitete u munduam dhe menduam të ishim më të kujdesshëm në këtë sens, më shumë për të shprehur nevojën e bashkëpunimit jo vetëm midis qarqeve akademike dhe strukturave të shtetit, pse jo edhe të institucionit të Presidentit, por edhe për të rritur kohezionin midis mendimit akademik për mjaft çështje që kanë qenë pjesë e një debati kohët e fundit, një debat mjaft intensiv edhe në Parlament. Kur them Parlament nuk kam parasysh thjesht aulën parlamentare, ku debati zakonisht është ose më shumë i karakteri formal apo i formatuar, ose për hir të mjedisit, i cili më shumë e rrit antagonizmin, por ka qenë një debat shumë i vlerësueshëm nëpër komisionet parlamentare, ku nga sa kam ndjekur, kam vërejtur që komisioni parlamentar, i cili duhet përgëzuar ka absorbuar një proces jo shumë të lehtë, një proces të vështirë,me mendime të cilat tek e fundit jo gjithmonë kanë qenë në sintonizuara. Edhe vetë rrethet akademike sot përballen me mendime të ndryshme, jo me mendime të unifikuara, ç’ka tregon që ky sistem me të gjithë arritjet e mëdha ende nuk është në atë stad të organizimit të tij që të afrontohet dhe të përballojë në mënyrë të organizuar të gjitha problemet në rritje që kanë universitetet. Universitetet sot përballen me probleme nga më të ndryshmet. Por, unë mendoj se universitetet kanë arritur të bëjnë progres në lirinë e tyre, në autonominë e tyre në raport me shtetin. Për këtë ka qenë koshient jo vetëm lidershipi politik në Shqipëri, nga të gjitha krahët e politikës, por më duket se në momente të caktuara për shkak të pjesëmarrjes në politikë, për njerëzit që kanë ardhur nga bota akademike, ky terren është arritur të fitohet hap pas hapi dhe për këtë arsye unë do të thoja që ka qenë një domosdoshmëri që njerëz nga bota akademike të përfshihen në politikë. Ky do të jetë një proces i vazhdueshëm. Këtu është problemi që lënë një botë të pasur akademike për t’ju përkushtur politikës, por kjo vjen si domosdoshmëri jo e karrierave individuale, por si domosdoshmëri e shoqërisë, ku mendimi më i kualifikuar që vjen nga bota akademike, duhet pikërisht aty ku merren vendimmarrjet politike. Nuk duhet të shkojmë në atë stad ku niveli i vendimmarrjes në disa raste përcaktohet më shumë nga orientimi politik, partiak, se sa nga një mendim racional dhe i konsoliduar që ju vjen pikërisht nga linjat akademike.

Kjo nuk do të thotë që jeta akademike nuk ka probleme që mund të konsiderohen si probleme që kanë lidhje me dominimin, apo një lloj autarkie në sistemin universitar. Sistemi universitar sot, sikurse thashë, krahas arritjeve që ka bërë, qoftë përsa i përket problemit të lirive akademike, menaxhimit të universiteteve, të botës akademike, të kërkimit shkencor, besoj që ka qenë në një moment të rëndësishëm do të quaja në shkallën e gjatë të evolucionit një hop kapërcimi, kur sidomos në jetën akademike, dominant ka qenë pikërisht orientimi i kërkimit shkencor, pikërisht në këtë risi, sepse ka patur një lloj ambiguiteti, sa i përket statusit të institucioneve akademike dhe institucioneve shkencore që ishin në linjën e ministrive, të ekzekutivit. Unë personalisht e quaj një arritje, një rimarrje të eksperiencës së universiteteve në nivel botëror.

Ne duhet të jemi realistë, për faktin që universitetet perëndimore orientohen kryesisht në kërkimet fondamentale, por në dhjetëvjeçarët e fundit, ka një lloj fryme të re edhe në këto universitete, duke kaluar jo më në gjirin e studimeve fondamentale, por në studimet që janë në shërbimin të ekonomisë e industrisë. Sot puna shkencore paguhet mjaft mirë dhe ato janë në një shkallë kompeticioni të fortë, pikërisht për shkak të konkurencës në treg. Natyrisht edhe në jemi në një linjë të tillë. Ne jemi futur në një ekonomi tregu, ku edhe universiteti nuk duhet të qëndrojë larg eksperiencës dhe filozofisë së këtyre universiteteve. Ne kemi një shans të vetëm, dhe kjo do të ishte rruga më racionale, që të mos aplikojmë modele autentike, pasi i kemi modelet e konsoliduara. Dikush vjen me modele të universiteteve anglo-saksone, dikush vjen me modele të tjera të universiteteve franceze, italiane.E rëndësishme është që të ketë një harmonizim të modeleve për t’iu përshtatur kushteve të Shqipërisë.

Për hir të së vërtetës, kam dëgjuar, por informacioni merret jo thjesht si qytetar, merret edhe si koleg, merret në radhë të parë nga ata që sot praktikisht janë në qendër të raporteve që krijohen në mjediset akademike, e kam fjalën për studentët. Duket sikur ka një lloj tendence, apo prioriteti në marrëdhëniet profesor-student dhe sa më shumë kohë të lihet në marrjen e gradave, aq më shumë braktisen interesat e studentëve. Nuk kam ardhur këtu për të moralizuar njeri, kam ardhur këtu për të kërkuar një informacion real, i cili për fat të mirë konfirmohet në sensin e konfirmimit, por për fat të keq edhe konfirmimi nuk sjell ndonjë lloj situate optimiste për studentët. Nuk do të futem në elementë të hollësishëm të këtyre marrëdhënieve, por do të futem në filozofinë e funksionimit të këtyre marrëdhënieve. Nuk ka shans që profesorati të jetë në nivelin e duhur nëse studentët nuk janë në nivelin e duhur. Janë marrëdhënie simbiozë, marrëdhënie që kondicionohen në mënyrë të natyrshme me njëri-tjetrin, ka linja shumë serioze të pedagogëve, jemi një vend i vogël, informacioni rrjedh, informacioni merret në shumë drejtime, por aty ku linjat e funksionimit të pedagogëve janë linja serioze, ka dhe studentë të cilët jo vetëm dalin mirë, por janë edhe kompetitivë. Ndërsa në ato linja ku për fat të keq individë të veçantë e kanë braktisur misionin fisnik të linjës së pedagogjisë, atëhere ne marrim informacione mjaft pesimiste për të ardhmen e profesioneve respektive. Kjo është një detyrë e cila duhet të përballohet në radhë të parë nga stafet akademike, nga këshillat, nga senati, këshilli i profesoriatit, sepse edhe në marrëdhëniet në universitete janë pikërisht ato këshilla që përcaktojnë marrëdhëniet dhe nivelin e demokracisë.

Nuk duhet kuptuar niveli i drejtimit nëpër universitete, nëpër dekanate si marrëdhënie të detyrueshme, por si marrëdhënie demokracie, sepse unë mendoj që mjediset universitare janë ambjentet më të natyrshme të ushtrimit të këtyre funksioneve në një shkallë të lartë demokracie. Ne jemi në një mjedis ku çdo ditë përpiqemi të fitojmë terren, të fitojmë liritë dhe demokracitë. Dikush, diku, e ka kuptuar si një proces që do të vinte brenda një viti, që do të vinte brenda dy vjetësh, por ky është një proces relativisht i gjatë pasi kombet e përparuara sikurse e dini mirë, janë përballur në një udhë shumë të gjatë të evolucionit dhe ndërtimit të institucioneve. Kjo nuk do të thotë që ne do të kalojmë po aq vite, sepse ne kemi një shans tjetër nga bota akademike. Të gjithë ju këtu keni eksperienca të vyera, qoftë në nivelin akademik në shkallë kombëtare, qoftë me eksperienca të tjera të vyera në perëndim, në institucione, në universitete, ç’ka do të thotë që implementimi i kësaj eksperience në Shqipëri është i mundur të realizohet në një periudhë shumë të shpejtë. Kjo është çështje e koshiencës dhe e motivimit për ta implementuar eksperiencën sa më shpejt të jetë e mundur. Në përgjithësi, të gjitha figurat e nderuara, janë të nderuara, sepse kanë imazhin e tyre jo vetëm në jetën akademike, profesionale, por kanë imazhin e tyre të projektuar tek shoqëria, tek studentët. Studentët nuk janë vetëm, studentët janë në shoqëri, janë të organizuar, janë nëpër familjet e tyre dhe ky është krijimi i një opinioni për profesoriatin që gjithsesi mbetet besoj pjesa më e nderuar e shoqërisë në nivelin e këndvështrimin intelektual dhe profesional.

Unë besoj që disa mendime do të thoja pesimiste, disa pozicione skeptike se hapja e universiteteve do të bënte të mundur rritjen e papunësisë shpresoj që duhet t’i përgjigjemi në një pozicion tjetër. Në raportin një i papunë i paformuar, apo një i papunë intelektual, natyrisht jo vetëm si një pjesë e trupit tuaj si organizëm, por edhe si Kryetar Shteti, unë do të isha në favor të së dytës, sepse një i papunë intelektual. Në sfidat që kemi përpara, në hapësirat që kemi përpara,ata do ta ketë shumë më të lehtë që të jetë kompetitivë. Nëse nuk është momenti sot, do të jetë momenti nesër. Kurse një njeri i paformuar do ta ketë të pamundur në sfidat e reja që kemi, kur gjithmonë e më shumë po kërkohet arritja e standardeve kudo në administratë, ne do të kemi nevojë të detyrueshme për njerëz të kualifikuar. Sot ka një lloj konkurence të natyrshme midis grupeve të caktuara tek studentët, sepse ata e kanë projektuar të ardhmen e tyre në mënyrë të parashikueshme. Sot ne jemi në një proces mjaft delikat, kur nga pikëpamja e mbështetjes, ajo është politike e institucionale, Shqipëria është pranuar të futet në rrugën e integrimit dhe ka një marrëveshje të stabilizim asocimit në process ratifikimi. Pse problemi është afatgjatë? Problemi është afatgjatë, sepse është çështje e realizimit të standardeve. Dhe standardet realizohen nga njerëz të kualifikuar, nga njerëz të përgatitur. Nuk mund të ketë një pranim mekanik nga ana e familjes europiane, e cila prej shumë vitesh ka punuar me mish e me shpirt për t’i arritur këto standarde. Dëshira është shumë e madhe që ne të jemi pjesë e saj, pra kemi një vullnet të shprehur jo vetëm politik, por edhe shoqëror, edhe individual të gjithësecilit, por përgjegjësia për t’u futur në Bashkimin Evropian lidhet domosdoshmërisht me arritjen e këtyre standardeve. Dhe standardet e para duhet të arrihen në botën akademike, në botën universitare, sepse vetëm nëpërmjet kësaj linje ne arrijmë të marrim produktin dhe produkti është tek brezi i ri, i cili shkollohet nëpër këto universitete.

Ka një problem tjetër dhe një mendim i cili ndahet në dysh sa i përket nevojës për hapjen e universiteteve private. Dikush i stimulon, dikush mundohet t’i frenojë, dikush është indiferent për këtë proces. Edhe ky është një model, i cili është kaluar prej vitesh nga vendet e tjera. Për momentin sigurisht që ka ndryshime në kualitete, dikush është më serioz, dikush në raportin akademi-biznes i jep më shumë rëndësi këtij të dytit, por ju siguroj që ky është një proces i natyrshëm, që duhet të stimulohet dhe jo të kundërshtohet thjesht mekanikisht për të thënë që ne nuk duhet të kemi universitete. Gara edhe në linjën e universiteteve është e natyrshme. Ai universitet që jep garanci që do të vazhdojë, që ka profesorat të kualifikuar, që projekton një të ardhme të suksesshme të studentëve, ai universitet do të jetë i suksesshëm, ai do të vazhdojë, ai do të arrijë në mënyrë shumë të mirë të realizojë kombinimin fitues, universitetet dhe fitim e biznes, të tjerët duhet të skualifikohen. Por në këtë fazë besoj se universitetet publike janë ato që jo vetëm i japin mbështetje universiteteve private për të realizuar një lloj joint-invention, por i duhet patjetër që të jenë shumë të kujdesshme në projektimin e të ardhmes së këtyre universiteteve.

Kam dëgjuar mjaft diskutime, liria dhe autonomia universitare në këtë fazë ku ndodhet Shqipëria është e vlerësueshme. Këtë konstatim nuk e bëj më nga tryezat e Parlamentit për të mbajtur një pozicion që mund të konsiderohet jo i hetuar politikisht,por e mbaj sot si Kryetar i Shtetit mbi bazën e informacioneve që marr nga të dy krahët e politikës, sidomos nga informacionet që më japin kolegë që nuk janë të përzier me politikë. Liria akademike në Shqipëri është në nivel më të lartë falë angazhimit të dyanshëm të njerëzve të botës akademike, politikës dhe nevojës për t’iu përshtatur standardeve.

Problemi është nëse liritë akademike shfrytëzohen në mënyrë korrekte, apo brenda lirive akademike, brenda këtij statusi përdoren për të ushtruar presion dhe një lloj auto-autarkie brenda këtyre niveleve. Më rezulton se ekzistojnë të dy llojet e simptomave. Ka universitete, të cilat janë më të pastra në këtë linjë, por ka të tjera, të cilat për fat të keq kam informacione se drejtuesit ushtrojnë “presion” për të pasur një të ardhme të siguruar në karrierën e tyre akademike. Unë mendoj së ambienti universitar duhet të jetë një ambient i hapur. Sikurse kërkohet që të ketë liri e të drejta, kjo është mëse e natyrshme dhe e domosdoshme në një vend demokratik, ka edhe disa detyrime. Detyrimi i parë është se universitetet publike janë ato që financohen nga shteti dhe kuptohet që të gjitha insitucionet që financohen nga shteti kanë disa detyrime për t’u orientuar jo thjesht në linjat ku funksionon institucioni, por edhe në çështje të buxhetit. Nga ana tjetër, liria që u jepet universiteteve për të shfrytëzuar të ardhurat e veta, nuk një vetfinancim jashtë çdo lloj influence dhe kontrolli nga shteti. Shteti bëhet i fortë, bëhet shtet që duhet kur është i organizuar, kur ndërton platforma legjislative të cilat duhet t’u shërbejnë sistemeve për të avancuar, por nga ana tjetër, shteti është i fortë kur arrin të kontrollojë dhe i zhvendos këto institucione pikërisht nga platforma e thashethemnajës.

Duke qenë i bindur që pjesa më e rëndësishme e profesoriatit është një pjesë me përgatitje të lartë profesionale, janë intelektualë të vërtetë, janë njerëz me grada dhe tituj, janë njerëz të cilët i janë përkushtuar profesionit të tyre, unë jam i bindur që vetë nga bota akademike, nga vetë profesoriati do të ketë presion pozitiv ndaj strukturave të shetit, ndaj politikës që ky sistem të reformohet hap pas hapi. Jam i bindur që edhe pse ka mjaft debat midis jush për çështjet e karrierës, për çështjet e interpretimit të ligjit, për çështjet të tjera që ju i konsumoni çdo ditë, unë jam i bindur që duke marrë në konsideratë standardet që ju keni dhe dëshirën tuaj, do të dini që mbi bazën e udhëzimeve dhe të rregulloreve,pjesë e hartimit të të cilave duhet të jeni, jam i bindur që edhe zgjedhjet që do të bëhen, pa u futur në elementë, të cilat nuk janë as në funsksion dhe as në karakterin e diskutimit, jam i bindur që do të dini të zgjidhni njerëz shumë të mirë, sepse tek e fundit, ky është një problem që lidhet me dialektikën e zhvillimit, njerëzit mund të konsolidohen në pozicione, njerëzit mund të lëvizin, mund të qarkullojnë. E rëndësishme është që misioni substancial i asaj që duhet të demostrojë bota akademike është që të projektojë një shoqëri të kulturuar.

Duke iu rikthyer një shprehjeje të një filozofi amerikan, Pirs, i shprehur rreth 120 vjet më parë që tregon që shkallët e formimit dhe kualifikimit në atë kontinent është shumë i hershëm, është që “profesoriatet, universitetet janë të financuara nga shoqëria dhe nga shteti, janë njerëz të privilegjuar”, - në këtë sens i ka përkufizuar Pirs, - “për t’iu shërbyer njerëzve, për t’i shërbyer teknologjisë së vendit, për t’i shërbyer zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe politik të një vendi”.

Unë në këtë fjalë timen, më kuptoni kisha më shumë ndjenjë të detyrimit për të kontaktuar me ju, për të shkëmbyer disa shqetësime që nuk janë thjesht individuale, por janë shqetësime që vinë edhe nga ju, edhe në kontaktet që kemi patur bashkë. Por ju siguroj, dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm që dua t’ju jap, si President i vendit, do të jem jashtëzakonisht i motivuar, përveç detyrës institucionale, do të jem i motivuar drejt shqetësimeve që do të kenë rrethet akademike, që do të ketë profesoriati, për çdo gjë zyra ime është e hapur e jo thjesht për takime kortezie. Ajo është një zyrë e hapur për të gjithë, pa patur në konsideratë axhendat e ngarkuara, pasi jo vetëm Presidenti i vendit por cilido pavarësisht nga pozicioni, e ka jo të nevojshme, por e ka të domosdoshme, e ka të detyrueshme që të jetë në një kontakt permanent me mendjet e ndritura të këtij kombi. Dhe ju jam i bindur që mendjet e ndritura të kombit janë midis jush.

Edhe një herë ju falenderoj dhe besoj që ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm në të ardhmen!

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›