FMN Rritja ekonomike e ngadalte

Në raportin e fundit mbi gjendjen e ekonomisë botërore, fondi vlerëson se në vitin 2010 ekonomia shqiptare u rrit me 3.5 përqind, një vlerësim 0.4 pikë përqindjeje më i ulët nga shifra që dha INSTAT pak javë më parë.
Madje FMN-në thotë se ekonomia do të rritet me të njëjtin ritëm edhe gjatë këtij viti dhe do të vazhdojë të zhvillohet me ritme të ngadalta, të paktën edhe për 5 vjet të tjera.
Në vitin 2009 Shqipëria ishte vendi që u përball më mirë me krizën në Europën qëndrore dhe lindore me rritje 3.3 përqind kur të gjitha vendet e tjera veç Kosovës dhe Polonisë, patën rënie ekonomike.
Por në 2010, sipas FMN-së janë disa ekonomi të rajonit që u rritën më shpejtë se Shqipëria, si Turqia me 8.2 përqind, Kosova me 4 përqind dhe Polonia me 3.8 përqind.
Edhe gjatë vitit në vijim disa ekonomi fqinje do të vazhdojnë të rriten më shpejtë se ajo e Shqipërisë.
Nëse parashikimet e fondit për rritjen ekonomike gjatë viteve të ardhshme do të rezultojnë të vërteta, efekti i parë është ai i pasurimit më të ngadaltë të qytetarëve shqiptarë që kanë të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë, pas Kosovës.
Nëse përpara krizës, rritja 6 përqind, mundësonte dyfishimin e të ardhurave për frymë të një herë në 12 vjet me këto norma rritje që parashikon tani Fondi Monetar, periudha zgjatet në 20 vjet.
Së dyti një tjetër efekt negativ i ngadalësimit të ekonomisë është edhe ai tek financat publike.
Meqënëse Shqipëria është një nga vendet në zhvillim me borxhin më të lartë, një rritje e ulët ekonomike e bën të vështirë uljen e borxhit të lartë.