FOKUS – 45 dronë ukrainas drejt Rusisë, 11 prej tyre drejt Moskës

MOSKË, 21 gusht /ATSH-DPA/ – Mbrojtja ajrore ruse rrëzoi 45 dronë të lëshuar nga Ukraina gjatë natës, me 11 prej tyre të shkatërruar mbi rajonin e Moskës, tha sot Ministria ruse e Mbrojtjes.
‘’Disa nga avionët pa pilot ukrainas u rrëzuan vetëm disa dhjetëra kilometra në jug të kufijve të qytetit të kryeqytetit’’, sipas kryebashkiakut të Moskës Sergei Sobyanin, i cili e përshkroi atë si një nga përpjekjet më të mëdha të Kievit deri më tani për të sulmuar qytetin.
Ministria tha se ”23 dronë u rrëzuan në rajonin Bryansk në kufi me Ukrainën”.
Fillimisht nuk kishte asnjë informacion të pavarur dhe as detaje nga forcat e armatosura të Ukrainës. Ndërkohë, një raketë u rrëzua në rajonin jugor të Rusisë, Rostov.
Sipas të dhënave fillestare, në asnjë nga rastet nuk ka pasur viktima e as shkatërrime.
Rusia, e cila ka zhvilluar një luftë të plotë kundër Ukrainës për më shumë se dy vjet, ka bombarduar vazhdimisht vendin fqinj me sulme me dronë dhe raketa.
Ukraina nisi një kundërofensivë rreth dy javë më parë, duke përparuar në rajonin perëndimor rus të Kurskut.
Është hera e parë që Kievi e zhvendos luftën në tokën ruse. Rusia vazhdon të pushtojë pjesë të mëdha të Ukrainës lindore dhe jugore.
Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Oleksandr Syrskyi tha të martën se Ukraina tani kontrollon 1 263 kilometra katrorë dhe 93 vendbanime në rajonin e Kurskut./ /os/