FOKUS – BE: Do të investojmë 1,3 miliardë euro për sigurinë kibernetike

BRUKSEL, 28 mars /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian u zotua të investojë 1,3 miliardë euro (1,4 miliardë dollarë) deri në vitin 2027 për teknologjitë dixhitale duke përfshirë inteligjencën artificiale (IA), shërbimet cloud dhe sigurinë kibernetike.
Sipas programit të Evropës Digjitale, financimi synon të inkurajojë zhvillimin dhe miratimin e IA në një sërë sektorësh.
Një theks i kushtohet aplikimeve gjeneruese të IA në sektorët e shëndetësisë dhe kujdesit, si për biznesin ashtu edhe për sektorin publik.
“Financimi i disponueshëm do të përdoret për të testuar mjedise zhytëse, të njohura si botë virtuale, për të zbatuar Aktin e IA dhe për të vendosur hapësira të përbashkëta të të dhënave”, tha Komisioni në një deklaratë.
Financimi do të mbështesë gjithashtu Qendrat Evropiane të Inovacionit Digjital, një rrjet që ofron akses në ekspertizën teknike dhe testimin e teknologjisë.
Investimi në zgjidhjet e sigurisë kibernetike, duke përfshirë EU Cybersecurity Reverse, synon përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së infrastrukturave kritike, të tilla si kabllot nënujore dhe spitalet./ /os/