E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – BE dhe Ballkani Perëndimor hapa të mëtejshëm drejt bashkëpunimit doganor

BRUKSEL, 17 dhjetor /ATSH/ – Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos ishte sot e pranishme në nënshkrimin e tri marrëveshjeve dypalëshe operacionale që forcojnë bashkëpunimin doganor midis administratave doganore të Shqipërisë, Moldavisë dhe Maqedonisë së Veriut me Greqinë, Bullgarinë dhe Italinë.

Memorandumet, të cilat janë pjesë e Planit të Rritjes BE-Moldavi dhe iniciativës Korsi të Gjelbra BE-Ballkani Perëndimor, të udhëhequra nga Komuniteti i Transportit dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), synojnë të zvogëlojnë kohën e pritjes në kalimet kufitare dhe të lehtësojnë lëvizjen e mallrave.

Të tre marrëveshjet e reja bazohen në memorandumet dypalëshe ekzistuese që janë tashmë në fuqi në kufij të tjerë midis partnerëve në rajon.

Dispozitat mbi shkëmbimin e të dhënave doganore midis vendeve të BE-së dhe vendeve joanëtare të BE-së mund të vihen në vend vetëm kur të krijohet kuadri i nevojshëm ligjor i BE-së dhe Reforma Doganore e BE-së të jetë në fuqi.

Paralelisht, BE ka vënë në dispozicion edhe 54 milionë euro për të investuar në 11 pika kalimi kufitar prioritar duke siguruar tranzit më të lehtë të mallrave.

Ky është një hap konkret në integrimin gradual të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së, siç parashikohet në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor të miratuar në vitin 2023./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›