FOKUS – BE dhe NATO mbështesin Varshavën, ndërsa Rusia mohon sulmin me dronë ndaj Polonisë

VARSHAVË, 11 nëntor /ATSH-DPA/- Udhëheqësit evropianë kanë shprehur mbështetje të plotë për Poloninë, pasi Varshava raportoi dje në mëngjes se shkatërroi dhjetëra dronë rusë mbi hapësirën e saj ajrore gjatë natës, duke shkaktuar frikën e një përshkallëzimi të luftës në Ukrainë.
Rrëzimi i dronëve rusë mbi territorin e NATO-s dhe mund të shënojë një pikë kthese të madhe në përgjigjen e aleancës ushtarake perëndimore ndaj kërcënimit në rritje që paraqet Moska.
Rusia ka mohuar çdo përgjegjësi për shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë, me Ministrinë e Mbrojtjes që njoftoi në Telegram se nuk kishte plane për të synuar infrastrukturën në Poloni.
Por, qeveritë evropiane nuk kishin dyshime se inkursioni – i cili erdhi mes një sulmi të rëndë rus në Ukrainën perëndimore dhe shkaktoi një përgjigje nga mbrojtjet ajrore të NATO-s në Poloni – përfaqësonte një provokim të qëllimshëm nga Moska.
“Qeveria gjermane dënon sjelljen agresive ruse në termat më të forta të mundshme”, tha kancelari Friedrich Merz, duke i përshkruar ngjarjet e natës si të fundit në një seri të gjatë veprimesh ruse, në rajonin e Detit Baltik dhe në krahun lindor të NATO-s.
Kryeministri polak Donald Tusk ka thirrur Nenin 4 të traktatit të NATO-s, i cili parashikon konsultime nëse një shtet anëtar ndjen se integriteti i tij territorial, pavarësia politike ose siguria e tij kërcënohen.
“Kjo është hera e parë në këtë luftë që ato nuk erdhën nga Ukraina për shkak të gabimeve ose provokimeve të vogla ruse”, i tha Tusk parlamentit polak, duke shtuar se ishin regjistruar të paktën 19 shkelje të hapësirës ajrore polake gjatë natës.
“Për herë të parë, një pjesë e konsiderueshme e dronëve erdhën direkt nga Bjellorusia”, shtoi ai.
“Ne presim shumë më tepër mbështetje në mbrojtjen e hapësirës ajrore polake”, tha ai. //a.i/