FOKUS – BE samit special për Ukrainën

PARIS, 16 shkurt /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit evropianë po planifikojnë një samit të posaçëm në Paris për konfliktin në Ukrainë, në përgjigje të planeve të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës.
“Ka bisedime të vazhdueshme midis politikanëve kryesorë evropianë për një takim të mundshëm jozyrtar, por asgjë nuk është finalizuar ende”, tha Pallati Élysée.
Nuk u konfirmua se një takim ishte planifikuar për të dielën ose të hënën në Paris.
Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski fillimisht njoftoi planet në X, por më vonë e fshiu postimin e tij, i cili gjithashtu thoshte se “ne duhet të tregojmë forcën dhe unitetin tonë”.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Sikorski fillimisht foli gjithashtu për një ftesë për një takim në Paris nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Udhëheqësit e vendeve të BE-së dhe Ukrainës po i rezistojnë qasjes së njëanshme të Uashingtonit me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe këmbëngulin se edhe ata duhet të jenë pjesë e negociatave për një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin folën me telefon të mërkurën dhe ranë dakord të fillojnë negociatat për t’i dhënë fund luftës “menjëherë”, duke ngritur alarmin midis Ukrainës dhe partnerëve të saj evropianë për anashkalimin e mundshëm në bisedimet e paqes./ a.jor.