Veliaj ankimon në Apelin e Posaçëm masën “arrest në burg”

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit masën e “Arrestit me burg”.
Sipas raportimeve në medie, ankimimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit është depozituar nga avokati i tij, Erimr Beta.
Në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, shkalla e parë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë ju konfirmua masa e sigurisë së vendosur nga Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SPAK). Gjyqtari Erjon Bani, në atë seancë ndryshoi vetëm masën e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxës, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Për këtë çështje në arrest në burg vijon të qëndrojë edhe biznesmeni Elman Abule, ndërsa 5 biznesmenë të tjerë kanë masën “detyrim për t’u paraqitur”.
Veliaj akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ndërkohë, ndaj biznesmenit Elman Abule rëndon akuza e pastrimit të parave dhe për 5 të tjerët vetëm ajo e korrupsionit aktiv.
/a.f/