E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – BM krijon forcë detare me 9 vende europiane, paralajmërim për Rusinë

LONDËR, 29 prill / ATSH / – Britania e Madhe ka rënë dakord me nëntë vende evropiane për krijimin e një force të unifikuar detare, me qëllim për të parandaluar kërcënimet e ardhshme nga Rusia në “kufirin e hapur detar” në veri të Evropës, shkruan The Guardian.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i Marinës Mbretërore britanike, gjenerali Sir Gwyn Jenkins, i cili theksoi se, pavarësisht krizave të tjera ndërkombëtare, Rusia mbetet “kërcënimi më serioz për sigurinë e Perëndimit”.

Sipas tij, vendet anëtare të Forcës së Përbashkët Ekspeditore (JEF) kanë nënshkruar një deklaratë synimi për krijimin e një “force detare shumëkombëshe”, e cila do të shërbejë si plotësim i NATO-s dhe do të rrisë bashkëpunimin ushtarak mes aleatëve.

Forcë e re pa SHBA-në

Forca e re nuk do të përfshijë Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur marrëdhëniet ushtarake mes Uashingtonit dhe Londrës janë përshkruar si të tensionuara.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar më herët Britaninë për qëndrimin e saj ndaj konfliktit në Iran.

JEF përbëhet nga Britania, Holanda, pesë vendet nordike dhe tre shtetet baltike, ndërsa Kanadaja po shqyrton mundësinë e bashkimit.

Rritje e aktivitetit rus në det

Autoritetet britanike kanë deklaruar se aktiviteti rus në ujërat e tyre është rritur ndjeshëm, me nëndetëse të dyshuara për survejim të kabllove nënujore dhe infrastrukturës kritike.

Sipas Marinës Mbretërore, shkeljet në hapësirën detare britanike janë rritur me rreth një të tretën në dy vitet e fundit, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në Atlantikun e Veriut.

Forcë e gatshme për veprim

Forca e re detare pritet të ketë rol stërvitor dhe operacional, me kapacitete të përbashkëta dhe plane të integruara veprimi. Sipas gjeneralit Jenkins, ajo është projektuar “për të vepruar menjëherë nëse kërkohet”.

Megjithatë, ai pranoi se Marina Mbretërore ka hasur vështirësi operacionale në disa misione të fundit, duke përfshirë vonesa në dislokimin e anijeve luftarake dhe probleme teknike në një prej tyre gjatë operacioneve në Mesdhe. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›