E Diel, 1 Nëntor 2026

LONDËR – Sulm me thikë ndaj dy hebrenjve, Starmer: Personat përgjegjës do të përballen me drejtësinë

LONDËR, 29 prill /ATSH/- Kryeministri britanik Keir Starmer, i cili pak më herët u tha deputetëve se sulmi me thikë ndaj dy hebrenjve në Golders Green, në veri të Londrës ishte “shumë shqetësues”, ka reaguar edhe në rrjetet sociale duke e dënuar ashpër ngjarjen, raportoi BBC.

Ai e quajti sulmin me motive antisemitike dhe plotësisht të tmerrshëm.

Starmer falënderoi grupet e komunitetit hebre Shomrim dhe Hatzola, si dhe policinë, për reagimin e shpejtë, duke theksuar se personat përgjegjës do të përballeshin me drejtësinë.

“Sulmet ndaj komunitetit tonë hebre janë sulme ndaj Britanisë së Madhe”, tha ai.

Në Parlament, kryeministri britanik përsëriti se sulmi i sotëm me thikë në Golders Green ishte shumë shqetësues dhe tha se një hetim ishte duke u zhvilluar.

Ai shtoi se vendi duhej të ishte plotësisht i qartë në vendosmërinë, për t’u përballur me çdo vepër të tillë penale, të cilat janë parë shumë shpesh kohët e fundit.

Dy burra hebrenj u sulmuan me thikë në zona të ndryshme, në Golders Green në veri të Londrës – respektivisht pranë dyqaneve dhe afër një sinagoge.

Të dy viktimat u dërguan në spital dhe janë në gjendje të qëndrueshme.

Policia ka arrestuar një 45-vjeçar të dyshuar për tentativë vrasjeje, ndërsa hetimet janë marrë në dorë nga njësitë kundër terrorizmit për të përcaktuar motivin dhe nëse sulmi ishte i drejtuar kundër komunitetit hebre. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›