E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Bejruti sërish nën sulm, Izraeli shpall jugun e Libanit “zonë lufte”

BEJRUT, 28 maj /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer sot një sulm në Bejrut, pavarësisht armëpushimit ende në fuqi, duke e cilësuar operacionin si “të shënjestruar”, pa dhënë fillimisht detaje të tjera.

Ndërsa përplasjet mes Izraelit dhe milicisë Hezbollah, të mbështetur nga Irani, janë intensifikuar javët e fundit në jug të Libanit, kryeqyteti libanez kishte përjetuar vetëm një sulm, që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit në mesin e prillit.

Sipas ushtrisë izraelite, sulmi i mëparshëm, rreth tre javë më parë, kishte në shënjestër një komandant të njësisë elitare Radwan të Hezbollahut.

Raportet paraprake nga Libani thanë se sulmi i fundit goditi një ndërtesë banimi në zonën Choueifat, në periferi të Bejrutit.

Fillimisht nuk pati raportime për viktima apo të plagosur.

Armëpushimi ishte arritur mes qeverive të Izraelit dhe Libanit, megjithëse Libani nuk konsiderohet palë e drejtpërdrejtë në konflikt. Hezbollahu ka refuzuar negociatat me Izraelin.

Megjithatë, në praktikë luftimet nuk janë ndalur plotësisht, pasi të dyja palët kanë vijuar sulmet, me Libanin që ka regjistruar vazhdimisht viktima.

Jugu i Libanit shpallet “zonë lufte”

Ushtria libaneze, e cila nuk është pjesë e konfliktit mes Hezbollahut dhe Izraelit, njoftoi se një ushtar i saj u vra në një sulm ajror izraelit në provincën Nabatieh.

Dje në mbrëmje, ushtria izraelite shpalli territore të mëdha të jugut të Libanit “zonë lufte”, duke u bërë thirrje banorëve të Tyre, Nabatieh dhe zonave përreth të largohen.

Sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, tre persona u vranë dhe 37 të tjerë u plagosën në një sulm pranë Tyre dje në mbrëmje.

Pas paralajmërimeve izraelite për evakuim, u krijuan kolona të gjata automjetesh drejt veriut, në drejtim të Bejrutit.

Sirena alarmi në veri të Izraelit, vritet një ushtare

Tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë rritur ndjeshëm. Edhe pse Izraeli dhe qeveria libaneze ranë dakord për një armëpushim në mesin e prillit, Hezbollahu ka refuzuar negociatat me Izraelin dhe përplasjet kanë vijuar.

Të dyja palët kryejnë sulme të përditshme, me viktima të raportuara shpesh, sidomos në Liban.

Ushtria izraelite njoftoi sot gjithashtu vdekjen e një ushtareje.

Sipas mediave izraelite, ajo u vra në një sulm të Hezbollahut me dron, pranë kufirit me Libanin. Dy ushtarë të tjerë mbetën të plagosur.

Ushtria izraelite tha gjithashtu se kishte interceptuar një “objekt ajror të dyshimtë” pranë trupave izraelite, në jug të Libanit sot në mëngjes, duke aktivizuar sirenat e alarmit në veri të Izraelit.

Sulme vdekjeprurëse pas shpalljes së jugut të Libanit “zonë lufte”

Disa anëtarë të një familjeje humbën jetën në sulmet izraelite sot në Liban, njoftuan autoritetet shëndetësore, ndërsa tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë të përshkallëzohen.

Ministria libaneze e Shëndetësisë bëri të ditur se gjashtë persona u vranë në një sulm në jug të qytetit bregdetar Sidon. Mes viktimave ishin dy fëmijë dhe prindërit e tyre.

Agjencia shtetërore e lajmeve NNA raportoi se viktimat ishin një familje e zhvendosur për shkak të luftimeve.

NNA raportoi gjithashtu se dy persona u vranë në një sulm me dron pranë qytetit bregdetar, Tyre.

Ministria e Shëndetësisë tha se një prej viktimave ishte fëmijë, ndërsa personat e vrarë ishin shtetas sirianë.

Një tjetër sulm u raportua brenda qytetit të Sidonit, ku pati të vrarë dhe të plagosur, megjithëse bilanci i saktë nuk dihet ende. Ushtria izraelite nuk komentoi menjëherë mbi raportimet. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›